Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” i shtohet edhe një pikë shkollore. Pasi një angazhimi dhe përkushtimi të veçantë të koordinatorit të shkollave shqipe prof. dr. Vaxhid Sejdiut në bashkëpunim me prindërit , shkolla shqipe hap dyert për fëmijët e këtij rajoni edhe në Rorschach të Zvicrës.
E mërkurë, datë 13 nëntor 2024, Shkolla Shqipe në Rorschach hap dyert edhe për fëmijët e qytetit Rorschach dhe Rorschaherberg, me qëllim që edhe ata, si bashkëmoshatarët e tyre të vijojnë me rregull mësimet në gjuhën amtare. Ky lajm jo vetëm që gëzoi fëmijët, të cilët kishin ardhur së bashku me prindërit e tyre për t`u regjistruar në shkollën shqipe, por edhe prindërit ndiheshin të lumtur se pas shumë viteve tani më edhe në këtë pjesë te Zvicrës, mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Nxënësit Auloni, Eniani, Kiani, Enea, Amini, Medina, Riani, Inara, Tuana, Altina, të cilët erdhën në orën e parë dhe të tjerët të cilët do t`u bashkëngjiten në ditët në vazhdim apelojnë te të gjithë prindërit shqiptarë që edhe ata t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë shqipe, sepse, vetëm në këtë mënyrë, mund ta ruajmë gjuhën amtare te gjeneratat e reja.
Sipas fjalëve të njërit nga veprimtarët e arsimit shqip në këtë pjesë të Zvicrës. Z. Sabin Gjoni, pritet edhe në ditët në vazhdim të vijnë fëmijë të tjerë për qenë pjesë e këtyre orëve mësimore. Në mesin e më të lumturve këtë të mërkurë ishte padyshim mësuese Jehona Shala, e cila e emocionuar na drejtohet me fjalët se ora e parë mësimore nuk ishte edhe aq e lehtë, edhe pse kaloi me emocione të veçanta nga ana e nxënësve. Buzëqeshja e tyre, përpjekjet e tyre për t`i shqiptuar dhe shkruar sa më mirë fjalët shqipe ishin tepër të veçanta, sepse kemi të bëjmë me nxënës, të cilët për herë të parë ulen në bankat shkollore për të mësuar shkronjat e gjuhës shqipe, për të mësuar fjalët dhe për t`i shkruar ato në mënyrë të saktë.
Vlen të përmendet se nxënësit, e përjetuan këtë fillim të mësimit në gjuhën shqipe me një dashuri të veçantë edhe pse shumicën e fjalëve që i dëgjonin, i kishin mësuar edhe më parë në familjet e tyre, por jo në këtë mënyrë. Shkronjat e shqipes dhe veçanërisht bashkëtingëlloret jepnin një ndjenjë ndryshe te fëmijët. Pasiguria ndaj tyre dhe shpeshherë gabimet gjatë shqiptimit të fjalëve apo shkronjave e mbushnin klasën me plot gaz, kurse në anën tjetër mësuesja i motivonte ata, që shumë shpejt do t`i mësojnë, por nevojitet pak më tepër punë dhe kujdes. Shkolla shqipe Në Rorschach të Zvicrës mësueses dhe nxënësve iu dëshiron shumë suksese, duke i thirrur e duke i motivuar të gjithë mërgimtarët në këtë rajon që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollën shqipe. Mësimi zhvillohet çdo të mërkurë nga ora 13:30 – 15:15 për grupin e parë, ndërsa për grupin e dytë përpiqemi ta organizojmë mësimin nga ora 15:15 – 17:00. Për çdo paqartësi të interesuarit mund të paraqiten në telefonin kujdestar 076 321 26 94. Suksese nxënës!
Sektori për informim