Të dielën, me datën 5 Mars 2023, në sallën e qytetit Cham të Kantonit të Zug-ut, nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër prezantuan një program të larmishëm shkollor. Programi ishte i ndarë në tri pjesë, në pjesën e parë përkujtuan “Epopenë e Jasharajve”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë më te re kombëtare, në pjesën e dytë këngët dhe recitimet e tyre ua kushtuan mësuesve, atyre të cilët historikisht bartën mbi supe sfidat e kohës në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare dhe në pjesën e tretë kënduan dhe recituan për Nënën, simbolin e gruas shqiptare, e cila në vazhdimësi mbeti dhe është simbol i edukimit kombëtar. Në mesin e nxënësve dhe mësuesve të përkushtuara, të cilat kishin përgatitur edhe programin shkollor: Lumnije Klinaku – Neziri, Qefsere Sejdiu, Minire Azemi, Asime Veliu, Ardita Abazi, ishin dhe morën fjalën e rastit duke përgëzuar mësuesit për punën e tyre në shërbim të shpërndarjes së dritës së diturisë në gjuhën shqipe në Zvicër,  z. Ilir Gjoni, Ambasador i R. së Shqipërisë dhe koordinatori i “Shkollës Shqipe” në Zvicër z. Vaxhid Sejdiu.

“Shkolla shqipe” – Zvicër feston në Cham të kantonit të Zug-ut. Në mesin e nxënësve, prindërve, e mësuesve Ambasadori i R. së Shqipërisë z. Gjoni duke mbajte një fjalë rasti

Programin e hapën me himnin e flamurit nxënësit e shkollave shqipe Rotkreuz, Cham, Baar dhe Inwil të Kantonit të Zug-ut dhe, pastaj nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Baar, Hamëz Haxhia e Ardion Elezaj, nga “Shkolla “Shqipe” – Vevey, recituan vargje për heroin Adem Jasharin, duke  e përmbyllë pjesën e parë  me nxënësit e shkollës shqipe Neuenhof dhe Spreitenbach të Kantonit të Argaut, të cilët kënduan këngën për Adem Jasharin.

Vaxhid Sejdiu –mësues dhe koordinator i “Shkollës shqipe” në Zvicër përgëzon nxënësit, prindërit  dhe kolegët për përkushtimin ndaj gjuhës dhe kulturës kombëtare. Një falënderim i veçantë ndaj Ambasadës se R. së Shqipërisë dhe ambasadorit z. Ilir Gjoni, për angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të “Shkollës Shqipe” në Zvicër

Mësuese Lumnije Klinaku – Neziri gjatë prezantimit të nxënësve të shkollave shqipe

Vlen të përmendet se salla në Cham, në këtë ditë festive ishte shumë e vogël për t`i zënë të gjithë nxënësit dhe prindërit e tyre të cilët kishin ardhur për të festuar këtë ditë të shënuar të kombit shqiptar. Mësueset Lumnije Klinaku – Neziri (foli për idenë rreth përmbajtjes së programit) kurse Asime Veliu foli shkurt për rëndësinë e këtyre datave historike.

Në bazë të programit dukshëm shihej se mësuesit dëshmuan edhe  njëherë për përkushtimin, jo vetëm rreth përgatitjes së nxënësve por edhe për organizimin e manifestimit shkollor. U prezantuan njëri pas tjetrit, herë në mënyrë individuale dhe herë në grupe duke dëshmuar atdhedashurinë ndaj gjuhës, kulturës kombëtare, heronjve, Shqipërisë e Kosovës, shkollës e diturisë, mësuesit e mësueses, Atdheut e trojeve shqiptare… Shkëlqyen në mënyrën më të mirë të mundshme Arion dhe Alina Ramadani, Mirela Kodraj, Lea Kodraj, Olsa Dina, Arjola Dushi, Ardonita Elezi, Enrik Kodraj, Fiona dhe Erda Kaliqi, Erza Haxhia, Eliza Zejneli, duke e përmbyllë pjesën e dytë me nxënësit e shkollës shqipe në Regensdorf të Kantonit të Zyrihut, Arian dhe Rejana Thaqi me recitim dhe Eliona Muçajt, e cila këndoi në mënyrë të shkëlqyeshme këngën për nënën, e shoqëruar nga grupi i nxënësve të shkollave shqipe të Kantonit të Zug-ut.

Një foto e përbashkët me Ambasadorin e R. së Shqipërisë z. Gjoni, mësuesit Ardita Abazi – Elezaj,  Vaxhid Sejdiu, Minire Azemi, Qefsere Sejdiu dhe Lumnije Klinaku – Neziri

Dhe në pjesën e tretë, nxënësit e shkollës Shqipe Neuenhof dhe Spreitenbach të Kantonit të Argaut:  Alea Halimi, Arnela Halimi,  Liara Zuka, Tana Limoni, Arta dhe Rina Morina, Lina dhe Ajla Sulejmani, Melodi Maloku u prezantuan me këngën “Me flamurin në zemër”, kurse Tana Limoni me këngën « Jam shqiponja» dhe nxënësit e shkollës Shqipe në Uster të Kantonit të Zyrihut Gresa dhe Gentonis Shala me këngën “Kuq e zi janë ngjyrat tona”, të cilët  dëshmuan edhe njëherë se skena është për ta.

Dhe në fund, grupi i vajzave e përmbyllën programin me vallet “Ciu, ciu o mor zog i vogël” dhe me vallen e Tropojës, duke i ftuar të gjithë në valle në këtë ditë festive.

Një mirënjohje e madhe shkon për të gjithë prindërit, në veçanti Këshillin e Prindërve të Kantonit të Zug-ut, të cilët kishin organizuar një kuzhinë të plotë shqiptare, pothuajse nga të gjitha specialitet dhe për të gjithë të pranishmit.

7 mars 2023