Vazhdojnë sukseset e “Shkollës Shqipe” në Buchrain, të Kantonit të Luzernit
Autor i shkrimit: Vaxhid Sejdiu

Shkolla Shqipe në Buchrain të kantonit të Luzernit vazhdon rrugëtimin e saj të suksesshëm me një përkushtim të veçantë për gjuhën dhe kulturën amtare. Kohët e fundit, stafit tonë iu shtua edhe mësuesja e re, Doruntina Berisha, e cila me entuziazëm të madh ka filluar punën me nxënësit shqiptarë të këtij fshati dhe rrethinës.
Mësuesja Doruntina shprehet shumë e kënaqur me klasën që ka, duke vënë në dukje përkushtimin dhe dëshirën e fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe. Ajo thekson se për një mësues është motivim i madh kur sheh që nxënësit e presin orën e mësimit me gëzim dhe kureshtje.
Një ndihmesë e madhe në këtë pikë shkollore ka dhënë edhe mësuesja e dalluar Lumnije Klinaku-Neziri, e cila, në bashkëpunim me prindërit, ka arritur që këtë pikë shkollore ta mbajë në një nivel të lartë cilësor. Përveç kësaj, Lumnije Klinaku-Neziri është gjithmonë e gatshme ta ndihmojë mësuesen e re, duke siguruar që bashkëpunimi me prindërit si dhe orët mësimore të zhvillohen në mënyrën më të mirë për nxënësit.

Ky përkushtim pasqyrohet edhe te prindërit, të cilët janë të lumtur dhe krenarë që fëmijët e tyre, të cilët marrin pjesë në orët e Shkollës Shqipe. Për ta, ruajtja e gjuhës amtare është një pasuri e çmuar, që fëmijët e tyre të rriten me vetëdije për identitetin dhe rrënjët e tyre.
Në këtë frymë, nxënësit Tea, Ardi, Loriku, Ariana, Ariani, Arta, Sara, Vjosa, Leandra etj., u bëjnë thirrje të gjithë moshatarëve të tyre në Buchrain dhe rrethinat përreth që t’iu bashkohen orëve të gjuhës shqipe. Ata tregojnë se sa me dëshirë shkojnë në klasë dhe sa bukur është të mësosh gjuhën e prindërve dhe gjyshërve.
Shkolla Shqipe në Buchrain mbetet një vatër e rëndësishme kulturore e arsimore për komunitetin shqiptar në Luzern. Ajo jo vetëm që ofron mësim cilësor në gjuhën shqipe, por edhe forcon lidhjet mes fëmijëve, prindërve dhe traditës sonë kombëtare.

🌟 Ftojmë të gjitha familjet shqiptare të fshatit Buchrain dhe rrethinës që t’i bashkojnë fëmijët e tyre në këtë rrugëtim të bukur të gjuhës dhe kulturës sonë amtare!










