Hapet pika shkollore në Birmensdorf të Kantonit të Cyrihut!

Ne ecim me hapa të mëdhenj në udhëtimin e ndritur arsimor e kulturor me nxënësit shqiptarë në mërgatë  dhe vazhdojmë me gjithë përkushtimin tonë, të jemi në shërbim të gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare. Qëllimi ynë është që fëmijët shqiptarë ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare. Dhe një përpjekje e këtillë është realizuar në pikën shkollore të radhës në Birmensdorf në kantonin e Cyrihut.

ut

Mësuesja Arijeta Berisha – Xhelili së bashku me nxënësit e shkollës shqipe në Birmensdorf të Kantonit të Cyrihut

Tani më çdo e mërkurë sjell buzëqeshje në fytyrat e fëmijëve shqiptarë të pikës shkollore në Birmensdorf të Kantonit të Cyrihut. Ata kanë filluar të mësojnë edhe shqip.  Gëzimi shihej qartë jo vetëm në fytyrat e nxënësve, por edhe të mësueses Arijeta Berisha – Xhelili e cila derisa shpërndante tekstet shkollore ua tërhiqte vërejtjen fëmijëve për shkronjat e shenjta të gjuhës shqipe.

Nxënësit  e shkollës shqipe në Birmensdorf ftojnë edhe fëmijët tjerë të këtij vendbanimi dhe lagjeve për rreth të Cyrihut që në ditët në vijim t`iu bashkëngjiten orëve mësimore me qëllim që edhe ata ta mësojnë gjuhën e nënës. Dhjetëra e dhjetëra pika shkollore që janë hap në këto 3- 4 vitet e fundit dëshmojnë qartë se aty ku punohet suksesi nuk mungon. Prindër, mësues janë bërë bashkë në misionin e tyre kombëtar me qëllim që të përfshijmë sa  më shumë fëmijë shqiptarë në orët mësimore të gjuhës amtare.

 

Nxënësit e shkollës shqipe në Birmensdorf gjatë orës mësimore

Në  fund fare, duke iu dëshiruar nxënësve dhe mësueses Arijetë suksese pafund shprehim edhe urimet tona më të mira për bashkatdhetarët tanë dhe njëkohësisht duam t’i motivojmë e t’i thërrasim me dashuri vëllazërore që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollën shqipe.

Mësimi zhvillohet çdo të mërkure nga ora 13:30 -15:15. Për çdo paqartësi mund të na kontaktoni në telefonin kujdestar 076 321 26 94. Dyert e shkollës shqipe jo vetëm në Birmensdorf por në të gjitha pikat shkollore në mbarë Zvicrën janë të hapura për fëmijët tuaj prindër të nderuar.