Në Rosenheim u promovua monografia “Shkolla Shqipe në Republikën e Bavarisë – ndërgjegje e atdheut” e autorit Mustafë Krasniqi
Në Rosenheim u zhvillua të shtunën promovimi i monografisë së autorit Mustafë Krasniqi me titull “Shkolla Shqipe në Republikën e Bavarisë – ndërgjegje e atdheut”, një vepër që pasqyron historinë, përkushtimin dhe rrugëtimin e shkollës shqipe në diasporën shqiptare në Bavari. Aktiviteti u organizua nga Shoqata BKSA “Shqiponja” dhe mblodhi bashkë personalitete të jetës arsimore, kulturore e diplomatike, mësues, aktivistë të diasporës, ish-nxënës dhe dashamirë të librit.
Veprimtaria u hap me fjalën përshëndetëse të znj. Blerta Goci Morina, e cila në emër të shoqatës organizatore falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë. Në këtë ngjarje kulturore përshëndetën gjithashtu znj. Gentjana Mburimi, z. Hamdi Reçica, z. Dashnor Ibra, Vaxhid Sejdiu, Isuf Bytyqi, Isuf Ismaili, Valbona Roqi dhe Milazim Ukaj.

Aktiviteti nisi me një dedikim të vajzës së Mustafë Krasniqit, Arijeta Krasniqi, e cila me një mesazh tepër emocional drejtuar babait të saj hapi promovimin e librit. Më pas, përfaqësuesi i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, z. Dashnor Ibra, ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, z. Hamdi Reçica, si dhe konsullja e Republikës së Shqipërisë në Mynih, znj. Gentjana Mburimi, folën për bashkëpunimin dhe kontributin e një veprimtari të devotshëm në shërbim të arsimit shqip, siç është rasti i Mustafë Krasniqit.

Anëtarja e kryesisë së Shoqatës “Shqiponja”, znj. Valbona Roqi, foli për biografinë e autorit, jetën dhe angazhimin e tij si mësues në rajonin e Bavarisë, me theks të veçantë në Rosenheim.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte fjala e drejtoreshës së Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, e cila theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe sfidat që shoqërojnë ndërtimin e projekteve të përbashkëta në diasporë. Duke iu referuar historisë së gjuhës shqipe dhe sakrificave për mbrojtjen e saj. Në mesazhin e saj, znj. Hysa nënvizoi se rrugëtimi i një njeriu të përkushtuar ndaj atdheut matet me veprat që lë pas dhe jo me fjalët. Ajo vlerësoi kontributin e autorit Mustafë Krasniqi, i cili si drejtues i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë ka dëshmuar urtësi, përkushtim dhe aftësi bashkëpunimi në shërbim të gjuhës shqipe dhe komunitetit shqiptar jashtë atdheut.
Paneli kryesor që trajtoi librin përbëhej nga Vaxhid Sejdiu, Isuf Bytyqi, Mimoza Hysa dhe Isuf Ismaili, të cilët folën për vlerat historike, dokumentare dhe kombëtare të monografisë.

Vaxhid Sejdiu, në këtë rast, nuk u përqendrua drejtpërdrejt te libri, pasi një shkrim i tij si recensent gjendet brenda monografisë, ku trajtohet puna, angazhimi dhe përkushtimi i Mustafë Krasniqit dhe i kolegëve të tij në kuadër të organizimit të shkollave shqipe në Bavari. Në fjalën e tij, ai foli për angazhimin e Mustafës si bashkëveprimtar në kuadër të KKAD-së, duke theksuar përpjekjet e përbashkëta të mësuesve dhe veprimtarëve që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për përhapjen e dijes në gjuhën shqipe. Ai vlerësoi gjithashtu veprimtarinë atdhetare dhe kombëtare të Mustafë Krasniqit në shërbim të lirisë së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi.

Bashkëveprimtari i Mustafë Krasniqit dhe kolegu i tij i studimeve, Isuf Ismaili, kujtoi ditët që kishin kaluar së bashku si studentë dhe veprimtarë, duke dhënë një kontribut të çmuar, ashtu si shumë studentë të Universitetit të Prishtinës, në shërbim të kauzës kombëtare.
Për veprën foli më gjerësisht Isuf Bytyçi, bashkëveprimtar dhe koleg në LAPSH-in e Bavarisë, i cili ndër të tjera vlerësoi lart punën e mësuesit, veprimtarit dhe koordinatorit të LAPSH-it për Bavarinë, Mustafë Krasniqi.
Aktiviteti mori një dimension të veçantë emocional dhe artistik përmes recitimeve të poezive të autorit nga nxënës dhe miq të tij, ndërsa interpretimi muzikor i këngëtarit Artan Lika e bëri atmosferën edhe më të ngrohtë e festive. Artanit, në këtë rast, iu bashkuan edhe mësuese e mësues, veprimtarë dhe familjarë, të cilët së bashku me Mustafën interpretuan këngë të bukura shqipe.
Në fund të promovimit, Shoqata BKSA “Shqiponja” i ndau autorit Mustafë Krasniqi një mirënjohje për kontributin shumëvjeçar në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe te brezat e rinj në diasporë.
Njëkohësisht, me krenari të veçantë u bë e ditur se Shkolla Shqipe në Rosenheim do të mbajë tashmë emrin “Mustafë Krasniqi”, një vlerësim simbolik për punën dhe përkushtimin e tij të pandërprerë për arsimin dhe çështjen kombëtare shqiptare.
Në përmbyllje të aktivitetit, fjalën e mori znj. Miradije Berisha, ndërsa përmes videomesazheve përshëndetën edhe anëtarë të tjerë të KKAD-së, si Anila Kadija, Mira Shehu, Dritan Mashi, Arta Emiri dhe Aurela Konduri, duke vlerësuar kontributin shumëvjeçar të autorit në shërbim të arsimit shqip në diasporë.
Ky aktivitet përcolli një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e shkollës shqipe në diasporë dhe për nevojën që gjuha shqipe të mbetet gjithmonë ura që bashkon shqiptarët kudo që jetojnë.
Një falënderim i veçantë, i shkruar me shkronja të mëdha, i drejtohet Shoqatës “Shqiponja” për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e mrekullueshëm. Respekt pa fund për punën dhe angazhimin jo vetëm të kryesisë, por të të gjithë anëtarëve të saj.
Shoqata të tilla si Shoqata “Shqiponja” janë shembulli më i mirë i organizimit, përkushtimit dhe shërbimit në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar. Puna e tyre është një frymëzim për komunitetin dhe një dëshmi e dashurisë ndaj traditës dhe brezave të rinj.
Ishte një promovim i jashtëzakonshëm dhe një përjetim shumë i veçantë, të cilin do ta mbaj gjatë në kujtesë. Ju uroj suksese të vazhdueshme në çdo aktivitet dhe projekt tuajin!











