“Shkolla Shqipe” hap dyert në Landquart të kantonit Graubünden
Një vatër e re e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë – aty ku gjuha, kultura dhe identiteti kombëtar përcillen nga një brez te tjetri
]
Nxënës shqiptarë në Landquart dhe mësuse Anduena Bega
Landquart, Graubünden
Harta e “Shkollës Shqipe” në Zvicër pasurohet edhe me një pikë të re mësimore. Në Landquart në kantonin Graubünden, fëmijët shqiptarë tashmë kanë mundësinë që çdo javë të mblidhen së bashku për të mësuar, folur, lexuar dhe shkruar në gjuhën amtare.
Fotografia e parë e kësaj klase përcjell një mesazh të bukur: fëmijë të buzëqeshur, të bashkuar rreth mësueses së tyre Anduena Bega. Kështu nëxënësit me një pamje të shkëlqyer, kanë vendosur duart mbi gjoks duke e simbolizuar shqiponjën me plot dashuri . Në tabelën e klasës janë shkruar fjalët që përmbledhin më së miri misionin e kësaj vatre të re: “XHAMADANI – SHQIP”. Janë fjalë që lidhin dijen me kulturën, shkronjën shqipe me traditën dhe fëmijët që rriten në Zvicër me gjuhën e të parëve të tyre.
Çdo të premte, dy orë kushtuar gjuhës shqipe
Sipas fletë-informimit të Shkollës Shqipe, mësimi në Landquart zhvillohet çdo të premte, nga ora 16:00 deri në 18:00, në Schulhaus Ried, klasa B13, Schulstrasse 75, 7302 Landquart. Hapja e kësaj pike mësimore është një mundësi e rëndësishme për familjet shqiptare të Landquartit dhe rrethinës. Ajo u krijon fëmijëve një hapësirë ku shqipja nuk mbetet vetëm gjuhë e komunikimit familjar, por mësohet dhe kultivohet në mënyrë të organizuar në bankat e shkollës.
Në fletë-informimin drejtuar prindërve theksohet gjithashtu se Shkolla Shqipe, përmes mësimit të gjuhës amtare, synon të kontribuojë edhe në integrimin e nxënësve në shoqërinë zvicerane.
Gjuha amtare – urë ndërmjet dy kulturave
Për fëmijët shqiptarë që lindin dhe rriten në Zvicër, mësimi i shqipes ka një domethënie që shkon përtej mësimit të një gjuhe. Përmes saj ata afrohen me historinë, kulturën, traditat dhe prejardhjen e familjeve të tyre.
Fletë-informimi i Shkollës Shqipe nënvizon rëndësinë e kurseve HSK: zotërimi i gjuhës së parë apo amtare u mundëson nxënësve të fitojnë njohuri mbi identitetin e tyre kulturor dhe të ruajnë lidhjet me vendin e prejardhjes. Në këtë kuptim, Shkolla Shqipe nuk qëndron përballë integrimit në Zvicër. Përkundrazi, synimi është që fëmija të rritet i sigurt në identitetin e vet, duke njohur gjuhën dhe kulturën e familjes së tij dhe njëkohësisht duke qenë pjesë aktive e shoqërisë zvicerane.
Angazhimi i prindërve dhe veprimtarëve – themel i kësaj vatre të re
Hapja e klasës së “Shkollës Shqipe” në Landquart është fryt i një pune të përbashkët dhe i një angazhimi të vazhdueshëm. Një kontribut të veçantë kanë dhënë prindërit dhe veprimtarët Irfan Saqipi dhe Salih Aliu, të cilët me përkushtimin, vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për bashkëpunim ndihmuan që kjo vatër e re e gjuhës shqipe të bëhet realitet. Angazhimi i tyre dëshmon se aty ku prindërit dhe veprimtarët bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët – ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar – mund të krijohen mundësi të reja për fëmijët shqiptarë që rriten në Zvicër. Mirënjohja u takon edhe të gjithë prindërve që, duke i sjellë fëmijët në mësimin shqip, bëhen pjesë e drejtpërdrejtë e vazhdimësisë së kësaj pune.
Prof. Dr. Vaxhid Sejdiu – përkushtim i vazhdueshëm në shërbim të Shkollës Shqipe
Mbi të gjitha, hapja dhe organizimi i kësaj pike mësimore dhe dhjetëra pikave shkollre që janë hap dhe po hapën lidhet me angazhimin dhe përkushtimin e palodhshëm të Dr. Vaxhid Sejdiut në organizimin e Shkollave Shqipe në Zvicër. Me punën e tij të vazhdueshme në hapjen, mbështetjen dhe fuqizimin e pikave mësimore, emri i tij është lidhur ngushtë me veprimtarinë në shërbim të gjuhës dhe arsimit shqip në mërgatë.
Puna e tij mbështetet në një ideal që kujton frymën e rilindësve kombëtarë: bindjen se gjuha dhe arsimi janë ndër shtyllat themelore të ruajtjes së identitetit kombëtar. Me dije, këmbëngulje dhe përkushtim, ai është vënë në shërbim të organizimit sa më të mirë të “Shkollave Shqipe” në Zvicër, duke bashkuar rreth këtij misioni mësues, prindër, veprimtarë dhe institucione.
Për të, çdo klasë e re, çdo nxënës që mëson të lexojë e të shkruajë shqip dhe çdo familje që i bashkohet Shkollës Shqipe përbën një hap të rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës amtare dhe në përcjelljen e saj te brezat e ardhshëm.
Një fillim që sjell gëzim dhe përgjegjësi
Pamja e nxënësve të Landquartit është dëshmia më e mirë se sa kuptimplotë është hapja e një klase të re. Çdo fëmijë që ulet në bankat e “Shkollës Shqipe” është një arsye më shumë për të besuar se shqipja do të vazhdojë të jetojë edhe te brezat që po rriten larg trojeve shqiptare.
Nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Landquart tashmë e kanë nisur rrugëtimin e tyre. Nga kjo klasë ata u bëjnë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tjerë shqiptarë të Landquartit dhe të rrethinës: Ejani edhe ju në Shkollën Shqipe! Këtu ku çdo fëmijë mëson të lexojë dhe të shkruajë shqip është një lidhje më shumë ndërmjet brezave; çdo klasë e re është një vatër ku ruhet një pjesë e identitetit tonë.
“Shkolla Shqipe” – Zvicër










