Hapet pika shkollore në të kantonit të Cyrihut!

Festat e nëntorit, si zakonisht sjellin lajme të mira në mërgatën shqiptare, ndaj sot më 12 dhjetor pas festave të shumta nën hijen e programit shkollor “Festojmë kuq e zi”, erdhi  lajmi më i gëzueshëm për fëmijët shqiptarë në Komunën Küsnacht të Kantonit të Cyrihut. Ata filluan mësimet e rregullta në gjuhën shqipe, në shkollën fillore “Heslibach”, të kësaj komune.

Nxënësit  e shkollës shqipe në Küsnacht gjatë orës së parë mësimore

Me librat shqip në duar, edhe nxënësit duken më e bukur! – Nxënësit e Shkollës Shqipe në Küsnacht të Kantonit të Cyrihut së bashku me mësuesen e tyre Miranda Ramani

Të premten më datë, 12 dhjetor 2024 “Shkolla Shqipe” hapi dyert edhe në Küsnacht të Kantonit të Cyrihut, duke iu mundësuar fëmijëve shqiptarë të këtij vendbanimi të vijojnë mësimet në gjuhën amtare. Mësuesi dhe veprimtari i Lidhjes se Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër Vaxhid Sejdiu së bashku me prindërit e kësaj komune dhe mësuesen e kësaj pike shkollore Miranda Ramani, pas një pune gati dy mujore arritën që qëllimin e tyre ta bëjnë realitet.

Nxënësit: Hana, Asja, Maliku, Sara, Ruhani, Kanita, Meleku, Alisa, Hamza, Mira, Rajna, Bera, Noar dhe Suela të cilët tani më janë pjesë  e shkollës shqipe, ju bëjnë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tyre shqiptarë, të cilët banojnë me familjet e tyre në këtë komunë, që të regjistrohen në shkollën shqipe. Të gëzuar ishin edhe prindërit, të cilët numëronin  një mori faktesh se pse pikat shkollore duhet të jenë sa më afër fëmijëve dhe vendbanimeve të tyre. Pra ky gëzim për hapjen e pikës shkollore ishte përhap gjithë andej dhe pritet që në javët në vijim të kemi më shumë nxënës në këtë pikë shkollore, me qëllim që edhe mësuese Miranda të ketë mundësinë të krijoj dy grupe nxënësish, duke i ndarë ato në grupe dhe për të punuar në bazë të niveleve (së paku niveli i parë dhe niveli i dytë).

 

Me librat shqip në duar, edhe nxënësit duken më e bukur! – Nxënësit e Shkollës Shqipe në Küsnacht të Kantonit të Cyrihut së bashku me mësuesen e tyre Miranda Ramani

Nxënësit  e shkollës shqipe në Küsnacht dëshmuan se që nga ora e parë mësimore se sa kishin nevojë, të takohen me librin shqip, disa me abetaren e gjuhës shqipe dhe disa me njësitë mësimore të një niveli më të lartë. E veçanta, për ta ishte alfabeti i gjuhës shqipe, shkronjat dyshe si dhe gjeografia shqiptare. Ata për herë të parë kuptuan se pavarësisht se shqiptarët jetojnë në shtete të ndryshme ata kanë një gjuhë, e flasin dhe e shkruajnë gjuhën shqipe.

Dhe fare në fund të këtij shkrimi duke iu bashkëngjitur gëzimit për hapjen e pikës shkollore në Küsnacht të Kantonit të Cyrihut, ju bëjmë thirrje të gjithë prindërve të kësaj ane që sa më shpejtë që është e mundur t`i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe sepse nuk ka gjë më të bukur kur fëmijët tanë përveç që e njohin gjuhën  e vendit apo edhe gjuhët tjera, njohin edhe gjuhën amtare.

Naim Frashëri apo siç i themi ndryshe bilbili i gjuhës shqipe dekada më parë kishte thënë: “Është turp të mos e dijë shqiptari gjuhën e  tij”. Në të njëjtat “valë” ishte edhe poezia e tij kushtuar gjuhës shqipe, e cila nga kritikët konsiderohet “si perlë e vlefshme për çdo kohë e çdo moshë”.

“Vëllezër shqipëtarë!
Qasuni më dëgjoni,
Sa të mundeni më parë
Gjuhën tuaj mësoni.”

 Të njëjtën frymëmarrje e gjejmë edhe në fjalët e urta, siç është “në gjuhë tjera edhe mund të flas por kur më dhemb shpirti vetëm shqip bërtas”.

 

Shpresojmë dhe besojmë se edhe këta fëmijë, tani e tutje do t`i vijojnë mësimet në gjuhën shqipe duke dëshmuar si shumë bashkëmoshatarë në Zvicër se ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës amtare është në dorën e shqiptarëve.

Sektori për informim