Emil LAFE
SHQIPJA LETRARE E SOTME NË VËSHTRIMIN E HERMANN ÖLBERG-UT
Gjuhëtari austriak Hermann Ölberg (1922–2017), profesor i Universitetit të Innsbrukut, është interesuar për gjuhën shqipe kryesisht në rrafshin diakronik. Si indoeuropianist atë e tërhiqte ideja e rindërtimit të shqipes së kohës antike në elementet e saj themelore përmes analizës së fjalëve me burim nga greqishtja e vjetër e nga latinishtja. Shtysë vendimtare për t’u thelluar në fushën e albanistikës pati takimi me prof. Eqrem Çabejnë dhe prof. Androkli Kostallarin me rastin e Kongresit VIII Ndërkombëtar të Studimeve Onomastike në Amsterdam më 1963. Duke ndjekur traditën e albanologëve të shquar të Austrisë, si Gustav Meyer (1850–1900) dhe Norbert Jokl (1877–1942), H. Ölberg-u i kushtoi studimit të shqipes shumë vite punë dhe arriti të depërtonte në veçoritë e zhvillimit historik të fonetikës, gramatikës dhe fjalorit të saj, siç e dëshmon studimi i tij Untersuchungen zum indogermanischen Wortschatz des Albanischen und zur diachronischen Phonologie auf Grund des Vokalsystems si edhe një varg artikujsh e kumtesash. Njëkohësish arriti ta zotërojë shqipen e sotme për ta folur e për ta shkruar, u informua për rrugën e zhvillimit të shqipes letrare, për rrethanat e përzgjedhjes së bazës dialektore dhe të vendosjes së një norme letrare të njësuar. Prandaj në mënyrë të natyrshme vjen edhe një artikull i tij me titull Disa mendime rreth “gjuhës së njësuar”[1], “i shkruar mrekullisht shqip”, siç shënon Ardian Klosi , botuesi i antologjisë Quo vadis, Shqipëri?, ku është përfshirë shkrimi.
Në ç’rrethana e shkroi H. Ölbergu artikullin e mësipërm? Dr. Ardian Klosi (1957–2012), ish-student i H. Ölberg-ut në Universitetin e Insbrukut, i pati dërguar profesorit të tij një kopje të nr. 3, 1992 të gazetës “Libertas” (e redaktuar prej tij), ku qe botuar një “Deklaratë” e gjuhëtarëve të Shkodrës e korrikut të atij viti[2], në të cilën shprehej një vlerësim ndryshe nga i deriatëhershmi për shqipen standarde dhe për Kongresin e Drejtshkrimit (nëntor 1972). Po riprodhojmë këtu atë pjesë që ka cituar prof. H. Ölberg-u dhe rreth së cilës ka shprehur disa mendime te artikulli në fjalë, me të cilin mua më duket se ai vijonte t’i jepte mësime e sqarime dashamire ish-studentit të tij dhe jo vetëm atij.
Në deklaratën e gjuhëtarëve shkodranë ndër të tjera thuhej:
“Gjuhëtarët shkodranë, duke kuptuar drejt zhvillimet demokratike të kohës, nuk janë as arkaikë, as të ngurtë. Me tolerancën dhe kulturën që i ka karakterizuar gjatë shekujve, ata shprehin mendimin se në të ardhmen duhet të mblidhet një Kongres i Tretë, që do të shqyrtojë problemet e gjuhës letrare kombëtare të shqipes në këto çështje themelore:
- Gjuha letrare e njësuar duhet të rishikohet. Është fjala për të realizuar këtë njësim, për ta bërë më të pranueshëm për të gjithë. Kjo gjuhë standarte do të jetë gjuha zyrtare e administratës, e shkollës, e shtypit, e radios etj.
- Krahas të shkruhet gegërishtja letrare. Do të jetë kjo një koiné gegërishte me rregulla të përcaktuara. Kjo gegërishte do të ketë si bazë veprën Ortografi e gjuhës shqipe, botuar në Prishtinë më 1964, duke u materializuar në dy drejtime kryesore:
- me botimin e veprave të autorëve si Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni, Camaj, etj.;
- me futjen e detyrueshme të këtyre veprave në programet mësimore të shkollave.
- E ardhmja e letrarishtes shqipe do të mvaret nga botime akademike gramatikore dhe leksikografike, duke përfshirë një Fjalor etimologjik dhe një Atlas gjuhësor etj., si edhe nga studime shkencore mbi pamje të ndryshme të gjuhës shqipe.”
Për prof. H. Ölberg-un, i cili gjithnjë ka ndjekur nga afër jo vetëm studimet gjuhësore shqiptare, por edhe zhvillimet politike-shoqërore, ka qenë e pritshme që, pas kthesës politike të fundit të viteve ’90, roli i gegërishtes letrare të vështrohej përsëri. Ai vlerëson se deklarata “kërkon në mënyrë objektive dhe të matur njohjen e kësaj tradite të gegërishtes letrare. Përdorimi i gegërishtes letrare sipas parimit 2 të deklaratës më duket se mund të realizohet pa vështirësi. Tradita në të vërtetë nuk është ndërprerë dhe shkrimtarë të talentuar do të nxisin zhvillimin përpara. Shembujt e mëdhenj si Fishta, Mjeda, Camaj, Koliqi janë tashmë të njohur, apo veprat e tyre do të jenë së shpejti në dispozicion.” Deri në kthesën e fundit të viteve ’90, nga autorët gegë të paraçlirimit kanë qenë të njohur për publikun (duke u përfshirë edhe në tekstet shkollore): Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Filip Shiroka, Ligj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Ndoc Nikaj, Hilë Mosi, Risto Siliqi, Filip Papajani, Haki Stërmilli, Migjeni, Veli e Qemal Stafa; si autorë që kanë shkruar gegërisht pas çlirimit dhe kanë hyrë edhe në tekste shkollore, mund përmenden: Vehbi Bala, Mark Gurakuqi, Kolë Jakova, Fadil Kraja, Ndrekë Luca, Lazar Siliqi, Drago Siliqi, Andrea Skanjeti, Selman Vaqarri etj. Pjesa tjetër e autorëve nga areali i gegërishtes u ndien më mirë duke shkruar në variantin letrar mbi bazën e toskërishtes, p.sh. Zija Çela, Ridvan Dibra, Skënder Drini, Rudolf Marku, Frederik Reshpja etj.[3] Ndërkaq duhet përmendur se thirrja për të përcaktuar rregullat drejtshkrimore e gramatikore për një koine gege nuk ngjalli ndonjë interesim.
Për prof. H. Ölberg-un thelbi i çështjes “duket të jetë gjuha standarde, gjuha zyrtare e administratës, e shkollës, shtypit, radios etj. Për këtë çështje parimi 1 i deklaratës kërkon në mënyrë të paqartë që të bëhet rishikim, për t’u realizuar njësimi, për t’u bërë më i pranueshëm për të gjithë. Sado kongrese të zhvillohen në të ardhmen, problemi qendror, a vendimi qendror, do të jetë: a qëndron toskërishtja baza e kësaj gjuhe standarte, apo rishikohet e hyn ë këtë funksion gegërishtja? … Një bashkëjetesë organike e të dy varianteve (gege e toske) në një të ardhme të largët është një iluzion, është e pamundshme sipas mendimit tim. Një shtet modern, me një burokraci depërtuese në të gjitha lëmet e jetës, nuk mund të lejojë dy gjuhë standarte njërën pranë tjetrës … Në dekadat e fundit një brez i ri i shqiptarëve mësoi këtë gjuhë të njësuar dhe më duket se ajo ka zënë vend në kokat e shqiptarëve. Të gjitha gazetat që marr nga vendi juaj, janë redaktuar në këtë gjuhë.“ Duke u shprehur me një qartësi të tillë si njohës i problemit në tërësi dhe i rrethanave të shqipes në veçanti, prof. H. Ölberg-u e quan të nevojshme të sqarojë pozitën e tij: “Si jo-shqiptar nuk kam të drejtë të fus hundët në këtë çështje delikate, por, duke e ndjekur me vëmendje zhvillimin e gjuhës së njësuar gjatë tri dekadave, kam krijuar përshtypjen se gjuha e njësuar është akceptuar si normë.”
Lidhur me akceptimin gjuhës letrare të njësuar në Shqipëri dëshiroj të shtoj disa vëzhgime të miat. Një pjesë e madhe e arealit gjeografik të gegërishtes deri në vitet ’50–’60 ka qenë e paurbanizuar. Qytet e sotme si Kukësi, Kruma, Bajram Curri, Tropoja, Fushë-Arësi, Puka, Rrësheni, Kurbneshi, Rubiku, Peshkopia, Bulqiza, Burreli, Lezha, Miloti, Fushë-Kruja kanë qenë qendra të vogla banimi (një pjesë edhe me tiparet e një fshati. Të folmet gege të asaj hapësire kanë mjaft dallime nga gegërishtja letrare si në inventarin, ashtu edhe në tiparet e fonemave. Ato të folme nuk kanë prodhuar ndonjë traditë letrare. Kjo rrethanë, bashkë me përqindjen e lartë të analfabetizmit (mbi 90 %) bënë që gjuha e administratës, e shkollës, dhe e mediave në vitet e pasluftës të shihej si e vetmja formë gjuhësore letrare dhe të akceptohej pa diskutime. Brezat e rinj të njerëzve të letrave dhe të jetës publike që dolën nga ato zona, kaluan në mënyrë të natyrshme e të vetvetishme nga dialekti amtar në gjuhën letrare të shkollës, pa ngurrime dhe pa sakrifikuar ndonjë traditë letrare të mëparshme. Qyteti i Durrësit, ashtu si edhe Tirana, të dy në arealin e gegërishtes, patën një shumëfishim mekanik të popullsisë me të ardhur nga të gjitha krahinat, por sidomos nga krahinat e jugut, që pësuan më shumë nga operacionet e luftës. Në këto dy qytete popullsia e vjetër vendëse “u përmbyt” nga të ardhurit, të cilët nuk gjetën aty ndonjë traditë kulturore e letrare të qëndrueshme, të krijuar mbi idiomën vendore. Edhe këtu përhapja dhe përdorimi i variantit letrar zyrtar rrodhi në mënyrë të qetë e të natyrshme. E folmja vendore u kufizua në ligjërimin e përditshëm bisedor dhe me kohë u kthye në një lloj emëruesi të përbashkët për komunikimin e përditshëm jashtë familjes, sidomos te shtresat pa shumë interesa kulturorë.
Një pozitë të veçantë pati në këtë mes Shkodra[4], jo vetëm qyteti më i madh në fillimet e shtetit të pavarur shqiptar, por edhe qendër kulturore-arsimore me traditë të pasur. Atje ishte përpunuar dhe zhvilluar një varietet letrar mbi bazën e së folmes së qytetit dhe të gegërishtes veriperëndimore në përgjithësi, i njohur si shkodranishtja letrare. Shkodra ishte njëkohësisht edhe qendra e katolicizmit shqiptar, i përhapur kryesisht në atë areal dialektor. Në këto rrethana dhe në kushtet e një analfabetizmi mbi 90 %, një formë gjuhësore deri diku e ndryshme nga ajo që përdorej tradicionalisht që nga mesi i shek. XIX me vendosjen e etërve jezuitë, të cilët e lanë mënjanë traditën shkrimore të autorëve të shek. XVII, si Pjetër Budi e Pjetër Bogdani (gjuha e të cilëve ka qenë mjaft më e afërt me toskërishten sesa gegërishtja veriperëndimore e shek. XIX) dhe krijuan një traditë shkrimi sipas idiomës popullore të kohës[5], nuk do të ishte fort e mirëseardhur në atë areal. Shkodranishtja letrare u ngulit edhe më thellë në vetëdijen kulturore të popullsisë së shkolluar të qytetit me ngritjen e shkollave shtetërore pas pavarësisë dhe të shkollave të mëparshme ose të reja fetare (katolike), që ndiqeshin edhe nga nxënës myslimanë. Edhe pas vendosjes së pushtetit komunist, deri nga fundi i viteve ’60, në Shkodër lulëzoi një letërsi pak a shumë në idiomën vendëse dhe po ashtu teatri i qytetit e krahas tyre edhe botimet shkencore, si “Buletini shkencor” i Institutit të Lartë Pedagogjik (i themeluar në të njëjtin vit me Universitetin e Tiranës – 1957), almanaku letrar-kulturor “Shkodra” etj. Ashtu si në krahina të tjera, edhe në Shkodër, gjuhë e folur në administratën vendore dhe në shkollë ishte kryesisht e folmja e krahinës. Me të gjitha këto mendoj se shpjegohet pse pikërisht në mjedisin shkodran u shfaqën edhe reagimet e para ndaj gjuhës së njësuar në fillim të viteve ’90.
Më tej H. Ölberg-u heq një paralele midis rastit të Shqipërisë dhe Austrisë në çështjen e gjuhës letrare: “Edhe ne austriakët përdorim dy gjuhë, d.m.th. bavarishten si gjuhë amtare e gjuhë bisede, dhe gjuhën letrare shumë të ndryshme nga tjetra. Pas zhvillimit politik gjatë shekujve do të kishe pritur që bavarishtja, gjuha e monarkisë austriake, të bëhej gjuhë letrare, por jo, gjuha e Luterit, e ngritur në bazë të dialekteve jo-bavarishte, u bë e detyruar për të gjithë ne!” Me këtë H. Ölberg-u besoj se kërkon të tregojë se ka edhe raste të tjera kur një pjesë mjaft e madhe e popullsisë përdor në shtëpi një idiomë më pak a më shumë të ndryshme nga gjuha standarde, që nuk mund të jetë kurrë rezultat i një konvergjence organike të varianteve me baza të ndryshme dialektore, por një përzgjedhje, një caktim. Me shumë dashamirësi, por edhe me shpresë optimiste, albanisti austriak e përmbyll shkrimin e tij duke shfaqur një kureshtje shkencore se “si do ta trajtojnë shqiptarët këtë problem. Shpresoj të mos ndodhë ashtu siç shkruan Ardiani: Edhe një herë si shumë herë në historinë tonë, përçarja fitoi mbi bashkimin.”
Kjo letër, ku prof. Ölberg-u e arsyeton me shumë qartësi e urtësi çështjen në diskutim, nuk e bindte dr. Ardian Klosin, i cili e ka shoqëruar botimin e saj me një shënim të botuesit, ku shpreh mospajtimet me profesorin e tij, të cilat nuk e quaj të nevojshme t’i komentoj pas parashtrimit të mësipërm[6]. Gjithsesi rikthimi te kjo letër e prof. H Ölberg-ut, e shkruar me sa duket në verën e vitit 1992 dhe e botuar më 1993, më jep rastin të shtoj disa sqarime për çështjen në diskutim, meqenëse ajo mbetet ende temë debatesh e mospajtimesh.
Kur Shqiptarët shpallën pavarësinë nga Perandoria Osmane (28.11.1912) dhe shteti i ri shqiptar u njoh nga Fuqitë e kohës (korrik 1913), gjuha shqipe shkruhej në disa variante dialektore: toskërishtja letrare (e mbështetur kryesisht në të folmet verilindore të dialektit të jugor të shqipes dhe e lëvruar nga intelektualë prej atyre krahinave, të vendosur jashtë vendit) dhe gegërishtja letrare e lëvruar mbi bazën e dialektit të Shkodrës; krahas saj edhe një gegërishte e mesme letrare (por me prodhim letrar të paktë) mbi bazën e dialektit të Elbasanit dhe sipas shembullit të përkthimeve të Kostandin Kristoforidhit (1827–1895) nga Shkrimi Shenjtë. Çështja e një gjuhe letrare shqipe të njësuar e të përbashkët për gjithë shqiptarët ka qenë temë diskutimesh të shumta në shtypin Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Le të kihet parasysh edhe se me shpalljen e Hyrietit (korrik 1908) Shqiptarët fituan përkohësisht të drejta edhe për mësimin e lëvrimin e gjuhës amtare (e ndaluar më parë) dhe ia dolën të organizonin Kongresin e Alfabetit (Manastir, nëntor 1908), ku u arrit të krijohej edhe alfabeti i sotshëm[7]. Në fund të shekullit XIX S. Frashëri në traktatin e tij “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë” (1899) e shihte formimin e një gjuhe letrare të përbashkët e të njësuar si produkt të një përqendrimi urban në kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë së Pavarur. Ky do të ishte një qytetet krejt i ri dhe modern, i ndërtuar në një vend në mes të Shqipërisë, ku do të mblidhej nga krahina të ndryshme paria politike e intelektuale e vendit dhe “gjuha që të flitetë atje, do të jet’ e përzjerë që të muntnjë të quhetë gjuh’ e përgjithçime e gjuhë letrarishhte e gjithë Shqipërisë.”
Kur qeveria shqiptare shpalli për herë të parë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare (23 shtator 1913), nuk caktoi ndonjë formë letrare për përdorimin zyrtar. Tre vjet më pas autoritetet austro-hungareze që morën nën administrim pjesën më të madhe të trojeve shqiptare (nga veriu deri në rrjedhjen e poshtme të Vjosës në jug dhe Qafën e Thanës në juglindje) u përballën me nevojën e një gjuhe zyrtare unike për administratën, shkollat dhe gjyqet. Një komision i posaçëm i ngritur prej tyre në Shkodër (Komisija Letrare Shqipe, 1916–1918) u ngarkua për të përzgjedhur formën e gjuhës së shkrimit dhe për të përcaktuar rregullat përkatëse. Dr. Max Lambertz (1882–1963), i cili kishte kryer hulumtime gjuhësore në Shqipëri gjatë verës së vitit 1916, ishte shprehur në raportin e tij për Akademinë e Vjenës[8] që gjuha e poetit Gjergj Fishta të merrej si bazë për gjuhën e përgjithshme të shkrimit. M. Lambertz-i kishte parasysh me këtë jo vetëm Gjergj Fishtën, po gjithë traditën letrare shkodrane. Ideja e Weigand-it për të caktuar dialektin joletrar të Durrësit dhe të Elbasanit si bazë për gjuhën letrare, vetëm duke u nisur nga shkaku i përdorimit në zemër të Shqipërisë, nuk më ka pëlqyer kurrë, – shkruan ai. Dhe më tej: “Nëse zgjedhim një dialekt letrar që jeton, mund të marrim parasysh vetëm dialektin e Shkodrës në Shqipërinë e Veriut.”[9] Por anëtarët e Komisisë, duke përfshirë edhe vetë poetin Gjergj Fishta, miratuan propozimin e shkrimtarit dhe politikanit Luigj Gurakuqi që “si themel i orthografís të mirret djalekti i Elbasanit me disa ndryshime.”[10] Dialekti i folur dhe letrar i Shkodrës, siç kishte vënë re G. Weigand-i, dilte i vështirë ndër të tjera edhe “për arsye të trajtave të tij të sinkopuara dhe të asimilimit të tingujve qiellzorë”. Por gjithsesi, duke qenë dialekti i Elbasanit një dialekt i gegërishtes, tradita letrare shkodrane, në një kuptim më të përgjithshëm, qëndronte në truallin e vet. Vendimet e Komisisë Letrare të Shkodrës janë vlerësuar gjithnjë si një hap i rëndësishëm në ecurinë e afrimit të traditave letrare dhe të krijimit të një norme drejtshkrimore e gjuhësore të përbashkët[11]. Pas konsolidimit të shtetit shqiptar, forma gjuhësore e caktuar nga Komisia Letrare u dekretua si “dialekt zyrtar i shtetit”[12]. Ky detyrim mbeti vetëm brenda administratës, madje nuk u shtri as në veprimtarinë arsimore.[13] Në letërsi, në përkthimet letrare, në gazetari, jo vetëm në Shqipëri, por edhe te mërgimtarët në SHBA e në Europë, gjithkush shkruante sipas shijes së vet gjuhësore, d.m.th. sipas dialektit amtar. Këtë gjendje e kam cilësuar në një shkrim të mëparshëm si “liberalizëm gjuhësor”[14]
Për të ndjekur më mirë ecurinë e procesit letrar në Shqipëri, duhet pasur parasysh edhe gjendja arsimor-kultore e vendit. Sipas statistikave zyrtare të vitit 1927 (15 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë), popullsia Shqipërisë arrinte në 828.593 banorë. Nga këta vetëm 62.899 (7,60 %) ishin të shkolluar (nga shkolla fillore deri në universitet). Pjesa tjetër ishin analfabetë. Por në këtë mes kishte një dallim të madh ndërmjet Veriut (areali i gegërishtes) dhe Jugut (areali i toskërishtes): në gjashtë prefekturat e Veriut (Shkodra, Kukësi, Dibra, Durrësi, Tirana, Elbasani) kishte 13.539 (22 %) të shkolluar, ndërsa katër prefekturat e Jugut (Berati, Korça, Vlora, Gjirokastra) kishte 49.350 (78 %). Nëse shikojmë numrin e universitarëve, dallimi del edhe më i madh: Veriu 45 (10 %), Jugu 402 (90 %); po kështu edhe për ata me shkollë të mesme: Veriu 229 (13 %), Jugu 1544 (87 %)[15]. Pa hyrë në arsyet e këtij shpërpjesëtimi, shifrat e mësipërme shpjegojnë pse në krye të dy forcave politike (Partia Komuniste dhe Balli Kombëtar) që u ndeshën për pushtet gjatë viteve të Luftës së II Botërore, shumica ishin nga Jugu, po ashtu edhe shtresa e burokracisë shtetërore e partiake. Dhe në këto rrethana ‘dialekti zyrtar” i dikurshëm i shtetit u mënjanua dukshëm që gjatë viteve të luftës në propagandën e të dyja forcave politike.
Shteti i shqiptar i pasluftës zbatoi një politikë kulturore e arsimore aktive për të zhdukur analfabetizmin, për të hapur shkolla në çdo fshat sado të largët, për të shtuar numrin e shkollave të mesme dhe për të ngritur arsimin e lartë. Tekstet shkollore origjinale ose të përkthyera botoheshin në toskërisht, por arsimtarët, edhe në shkollat e larta, flisnin sipas prejardhjes krahinore; po ashtu nxënësit dhe studentët. Instituti i Shkencave u angazhua për ta vënë në rrugën e zgjidhjes njësimin e gjuhës letrare. Më 1948 u botua një udhëzues drejtshkrimor për të dyja variantet letrare (toskërishten dhe gegërishten). “Gramatika shqipe” (1949) e hartuar toskërisht nga gjuhëtari elbasanas Kostaq Cipo dhe e përdorur gjerësisht edhe si tekst shkollor, pati ndikim të ndjeshëm në përpunimin e mëtejshëm të normës letrare.[16] Me gjithë epërsinë që fitoi toskërishtja letrare, edhe gegërishtja deri në vitin 1968 përdorej lirisht në letërsinë artistike, në disa përkthime dhe në botimet shkencore.[17]
Pas shpërbërjes së Mbretërisë Jugosllave (prill 1941) shqiptarët (rreth gjysma e popullit shqiptar në tërësi) fituan të drejtën për t’u shkolluar në gjuhën e vet amtare dhe për ta përdorur në veprimtari administrative e publike. Duke qenë krejt popullsia e arealit të gegërishtes, atje u praktikua gegërishtja e mesme e caktuar nga Komisia e Shkodrës (1916–1918). Autoritet jugosllave pas luftës e quajtën këtë variant letrar šiptarski jezik[18] për ta dalluar nga albanski jezik në shtetin shqiptar. Ndërprerja e të gjitha marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë e Jugosllavisë në verën e vitit 1948 pas Rezolutës së njohur të Informbyrosë, bëri që të mos kishte asnjë bashkëpunim ndërmjet Tiranës e Prishtinës në çështjet e gjuhës letrare. Por në prill të vitit 1968 në një konsultë gjuhësore të mbajtur në Prishtinë, ku u përfaqësuan gjithë shqiptarët në ish Jugosllavi (në krahinën e Kosovës dhe në republikat si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) u vendos që të adoptohej gjuha letrare e Shqipërisë, duke vënë në zbatim në gjithë veprimtaritë e tyre (përfshirë edhe letërsinë artistike) projektin e drejtshkrimit që ishte botuar në Tiranë më 1967.[19] Si pasojë emërtimi šiptarski jezik i përdorur në Jugosllavi doli nga përdorimi dhe u zëvendësua me albanski jezik. Vendimi i Prishtinës pati një pasojë të drejtpërdrejtë edhe në Shqipëri. Intelektualët shqiptarë që deri atëherë shkruanin gegërisht (letërsi, publicistikë, punime shkencore), duke ndjekur shembullin e kolegëve të Kosovës, e lanë atë praktikë (pa ndonjë vendim administrativ) dhe nisën të shkruajnë në variantin letrar mbi bazën e toskërishtes, që po kristalizohej si gjuhë letrare e përbashkët. Në rastin e njësimit të normës drejtshkrimore e gramatikore të shqipes ka qenë e pashmangshme që tradita e njërit varietet letrar (gegërishtja letrare), me vlera të spikatura estetike, të ndërpritej dhe ai të humbiste individualitetin e fituar, veshjen fonetike-gramatikore me kumbim dhe rezonancë artistike, duke u përshtatur tani e tutje me normën e gjuhës standarde[20]. Kjo nuk mund të kalonte pa reagime të natyrshme, por jo rrallë prapa tyre ka pasur dhe ka frymëzime të tjera, jo të rendit gjuhësor, duke u ndier njësimi si lëshim i detyruar e nënshtrim, si bjerje dinijiteti e krenarie, ose si risi e panevojshme (psikologji tradicionale kundër risive, pavarësisht nga dobia e tyre), duke u shpërfillur e mira e përbashkët para mendësive lokaliste.
Kështu njësimi i praktikës gjuhësore të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkan u arrit për herë të parë më 1968 dhe kjo ndikoi për zhvillime të tjera pozitive në vitet e ardhshme. Pas kësaj rruga për sanksionimin e shqipes letrare të njësuar në Kongresin e Drejtshkrimit (20–25 nëntor 1972) ishte e hapur. Përcaktimi i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit se “gjuha letrare shqipe ka arritur një shkallë të tillë zhvillimi që na lejon të pohojmë shkencërisht se populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar” pasqyron një të vërtetë të kohës.[21]
Siç është përmendur shpeshherë, faktorët që i dhanë epërsi toskërishtes letrare për t’u shndërruar shkallë-shkallë për hir të procesit të shkrahinarizimit dhe përgjithësimit (K. Cipo shënimi 16) janë: uniformiteti mjaft më i madh i të folmeve toske (në krahasim me të folmet e gegërishtes) dhe mbi këtë bazë arritja e një lloj koineje gjithëtoske të gjuhës së shkrimit[22], që njohu zhvillim të vrullshëm sidomos që nga themelimi i Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip (ose Shoqëria e Stambollit, 1879) e në vijim (këtu duhet pasur parasysh edhe zhvillimi i letërsisë arbëreshe sidomos në shek. XIX–XX, gjithashtu mbi bazën e toskërishtes).
Për rrethanat historike të Shqipërisë kjo ishte një arritje e vonuar, por e mirëpritur, si nga opinioni shoqëror, ashtu edhe nga pushteti politik, që e kishte përkrahur dhe mbështetur materialisht caktimin e një forme gjuhësore të njësishme si element i domosdoshëm për një shtet. Në kushtet politike-ideologjike të regjimit të atëhershëm dhe duke marrë parasysh gjithashtu miratimin e njëzëshëm të shqiptarëve në ish Jugosllavi, që e përjetuan njësimin e gjuhës si fitimin e një lirie shprehjeje, reagimet ose kontestimet nuk patën hapësirë për t’u shfaqur. Ato u shfaqën në fillim të viteve ’90, kur u bë i njohur edhe në Shqipëri libri i prof. Arshi Pipës (ish i dënuar politik, më pas i arratisur jashtë vendit) The Politics of Language in Socialist Albania. (New York, Columbia University Press, 1989, XVI+283 f.), dhe sidomos pasi ai erdhi në Shqipëri dhe mori pjesë në mbledhjen e Shkodrës (korrik 1992), ku u formulua “Deklarata” nga e cila merr shkas letërkëmbimi i A. Klosit me H. Ölberg-un. Ideja e deklaratës së Shkodrës për ta bërë standardin “më të pranueshëm”, për të krijuar në tryezë një standard gjithëpërfshirës (si të thuash një lloj krijese artificiale nëpërmjet një ndërhyrjeje gjenetike) është përsëritur herë-herë, madje edhe në konferenca akademike[23]. Ide të tilla nisen nga përfytyrimi krejt i pathemeltë se standardet gjuhësore ndërtohen e ndryshohen sipas vullnetit subjektiv të individëve a të komisioneve. Kjo nuk ka ndodhur për gjuhët me traditë shkrimi prej disa shekujsh dhe nuk mund të ndodhë as për shqipen. Shqipja e sotme standarde përfaqëson rezultatin e ecurisë së një procesi të gjatë letrar, që është në zhvillim e sipër si në çdo gjuhë tjetër.
Tiranë, nëntor 2018
Botuar në: Gjurmime albanologjike Seria Shkencat filologjike 48/2018, f. 25–38.
[1] Quo vadis, Shqipëri? Antologji e përgatitur nga Ardian Klosi. Botime Albania. München 1993, f. 22–25. Artikulli ka mbetur gati i panjohur edhe në mjediset shkencore albanologjike.
[2] Përveç se te “Libertas”, deklarata u botua atë vit edhe te: Albanica. A Journal of Albanological Research and Criticism. (Editor Arshi Pipa, Washington DC), Winter 1992, Number 3–4, f. 121–123; dhe më pas te David Luka, Studime gjuhësore VII. Përmbledhje shkrimesh. “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2002, f. 11–14. (Prof. D. Luka jep këtu edhe disa sqarime për rrethanat e hartimit të kësaj deklarate dhe për disa dallime në variantet e botuara).
[3] Është domethënës rasti i poetit Zef Zorba (1920-1993), ish i dënuar politik, i cili pas daljes nga burgu (1951) qëndroi i shkëputur nga jeta publike, duke shkruar poezi që karakterizohen nga sintetizmi e hermetizmi. Autori nuk ndoqi tra traditën letrare shkodrane. Dorëshkrimi i vëllimit “Buzë të ngrira në gaz” u botua pas vdekjes më 1994. (Shih dhe te Fjalor enciklopedik shqiptar, vëll. 3, 2009, s.v.)
[4] E vetmja qendër vilajeti nga koha e Perandorisë Osmane, që mbeti brenda kufijve të Shqipërisë,
[5] I Padri gesuiti che vennero allora a Scutari erano quasi tutti italiani, perciò cominciarono a scrivere nella lingua del popolo, voltando le spalle al purismo e all’arcaicità della lingua e questo anche perché essa era l’unica che apprendevano e potevano perfezionare e completare attraverso i quotidiani contatti con la popolazione. (Namik Ressuli, Grammatica albanese. Patron editore. Bologna 1985, Introduzione, f. XXX)
[6] A. Klosi kërkon në thelb rikthimin te gjendja me toskërishte e gegërishte letrare dhe mënjanimin e formave të ardhura nga gegërishtja e të integruara organikisht në normën e sotme letrare. Shqetësimet serioze të krijuara nga ide të tilla të shtrira edhe në fusha të tjera i kanë frymëzuar shkrimtarit Ismail Kadare sprovën letrare “Mosmarëveshja – mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”. Onufri, Tiranë, 2010, 206 f.), ku në kreun X flet edhe për mosmarrëveshjen lidhur me gjuhën, duke vizatuar këtë tablo: (sipas “albanologëve të rinj shqiptarë”) “Gjuha duhej të ndahej përsëri në dy të folmet kryesore të saj. “Shqipja komuniste e Enver Hoxhës” duhej të tërhiqej nga skena dhe të riniste garën me shqipen tjetër, atë antikomuniste.” (f. 112)
[7] Në të vërtetë Kongresi la në fuqi alfabetin me 36 grafema, të krijuar nga Shoqëria e Stambollit më 1879 sipas parimit një fonemë – një grafemë; alfabeti i sotshëm u caktua si i dytë, por për epërsitë e tij teknike në tipografi, ai shpejt u bë mbizotërues dhe deklarata e Shpalljes së Pavarësisë më 28.11.1912 u shkrua me këtë alfabet.
[8] “Vorläufiger Bericht des Dr. Max Lambertz über seine linguistische Studien in Albanien von Mitte Mai bis Ende August 1916”. – në: Anzeiger der Kais. Akad. d. Wiss. in Wien. Linguist. Abt. XII. Wien 1916, f. 122–146. Duhet vënë në dukje ndërkaq se vetë autoritetet austro-hungareze ishin më fort të intersuara që Komisia të vepronte shpejt sesa për formën gjuhësore që do të vendosej, prandaj kërkonin herë pas here që puna të mos zvarritej.
[9] Më herët G. Weigand-i qe shprehur se Elbasani, me pozitën e vet gjeografike do të ishte shumë i përshtatshëm për t’u bërë kryeqytet i Shqipërisë së pavarur dhe hapja e shkollës Normale në atë qytet (1909) ishte një fillim i mirë për ta vlerësuar dialektin e Elbasanit si bazë të shqipes letrare, sepse ai, duke përmbledhur të gjitha karakteristikat e gegërishtes, është jo vetëm dialekti më i kuptueshëm për të gjithë Shqiptarët, por edhe dialekti që mund të mësohet më lehtë. (Shih: Albanesische Grammatik im südgegischen Dialekt (Durazzo, Elbasan, Tirana) von Prof. Dr. Gustav Weigand. Lepzig, 1913. Vorrede IV–VI).
[10] Laimet e Komisís Letrare Shqipe në Shkodër. Vjet I, Numër 1, Kallënduer 1918. Boton Komisíja Letrare Shqipe, Shkodër, f. 11 (vendimi është i datës 31 janar 1917). M. Lambertz-i, që u kthye më vonë në Shkodër, u pajtua me këtë vendim pasi bëri një udhëtim studimor në Shqipërinë e Mesme deri në Berat.
[11] Nuk kanë munguar edhe komente kritike, si p.sh. nga ana e filologut Namik Ressuli, që është shprehur se: “Se prima di allora gli Albanesi scrivevano o in scutarino (nordghego) o in tosco, dopo le decisioni della Commissione cominciano ad usare il dialetto di Elbasan come «futura lingua comune» specialmente negli atti ufficiali dello stato e nei testi scolastici; cominciò cioè ad usare un sottodialetto che in verità una tradizione letteraria non aveva mai avuto. Si ricorderà che in questa parlata precedentemente si conoscevano soltanto scritti di testi sacri, tradotti però anche in tosco, da Kostandin Kristoforidhi (che poi non era propriamente la pura parlata di Elbasan, ma una specie di «koiné» medio-ghega elaborata dal traduttore). Cosi in questo modo le lingue letterarie usate in Albania, per nostra disgrazia e confusione passavano da due a tre. Sostenitori accaniti di questa terza lingua furono alcuni vecchi insegnanti albanesi e tra questi si distinesero specialmente due: Aleksandër Xhuvani, nativo di Elbasan per anni quasi sempre direttore della Scuola Normale di questa città e Karl Gurakuqi, un altro valoroso insegnante di albanese tanto attaccato alle tradizioni scutarine da pensare che attraverso il dialetto di Elbasan si potesse piano piano imporre lo scutarino.” (Grammatica albanese. Introduzione, f. XXXIII)
[12] Shih: “Mbi djalektin zyrtar” (Fletorja zyrtare, Tiranë, 21 Kallnduer 1923, vjeti II, Nr. 3, f. 1). Të vihet re përcaktimi djalekt zyrtar, d.m.th. jo rregulla gjuhësore të përcaktuara, po një bazë dialektore në përgjithësi për t’u zbatuar sipas njohurive gjuhësore të nëpunësve të administratës.
[13] Kështu p.sh. Eqrem Çabej, tekstin e tij “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe për shkollat e mesme” (1936) e ka shkruar në toskërishten letrare të kohës (me disa elemente të dukshme të së folmes së tij amtare gjirokastrite). Por parathënia e këtij teksti nga ministri i Arsimit i kohës, dr. Nush Bushati, është shkruar gegërisht, më fort sipas dialektit amtar të autorit (shkodrnishte), sesa për të respektuar disiplinën gjuhësore të shtetit.
[14] Emil Lafe, “Nga liberalizmi gjuhësor te domosdoshmëria e gjuhës standarde”. – Gjuha shqipe (Prishtinë) 33/2015, nr. 3, f. 67–80.
[15] Teki Selenica, Shqipria më 1927. Tiranë, Shtypshkronja “Tirana”, 1928, f. CLVI. Autori, statistikani i parë i shtetit shqiptar, i ka lejuar vetes të shkruajë sipas mënyrës së vet, d.m.th. pak a shumë në të folmen e Dangëllisë (Përmet), prej nga ishte. Ky libër i vëllimshëm (rreth 760 faqe), është një dëshmi domethënëse e luhatjeve të panumërta drejtshkrimore e gramatikore në shqipen e shkruar të kohës.
[16] Si vëzhgues i kujdesshëm i ecurisë së zhvillimit të gjuhës letrare, ai arriti ta vlerësonte që më 1949 rolin e kryeqytetit si qendra më e madhe e zhvillimit të toskërishtes, ku ajo “do të fitojë tërë ç’i duhet për të shkrirë në njësi harmonike divergjencat që lindin nga zhvillimet gjuhësore” për hir të një procesi shkrahinarizimi dhe përgjithësimi (termat e tij). E shprehur me një terminologji tjetër, kjo mund të quhet krijimi i një koineje mbidialektore, e cila me kohë merr shtrirje kombëtare, bëhet formë e përbashkët e gjuhës së shkruar dhe të folur. Ajo që kishte parashikuar K. Cipoja, u vërtetua në vitet ’50–’60.
[17] Artikuj gegërisht janë botuar madje edhe në revistën “Studime filologjike” të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, që punonte për njësimin e gjuhës letrare.
[18] Sipas formës dialektore shiptar ‘shqiptar’ të Kosovës. Dialekti i Kosovës (gegërishtja verilindore) nuk arriti të krijonte ndonjëherë një traditë letrare.
[19] Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (Projekt). Komisioni hartues: Androkli Kostallari, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Emil Lafe (asistent). Universiteti Shtetëror i Tiranës Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë, 1967, 214 f. Në atë kohë, pas shkarkimit të Aleksandër Rankoviçit (ish-ministër i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë), trysnia politike serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë nisi të lehtësohej.
[20] Ka pasur jo rrallë keqkuptime sikur autorët e traditës gege duhej të ktheheshin në gjuhën standarde. Por kjo nuk ka ndodhur. Ata vijuan të botoheshin, të viheshin në skenë e të studioheshin në shkolla në formën origjinale. Por autorët që deri nga fundi i viteve ’60 kishin shkuar gegërisht, siç e përmendëm më lart, kaluan vetë në gjuhën e njësuar. Kështu Kolë Jakova, autor i romanit “Fshati midis ujnave” (1972), vëllimin III (1980) e shkroi në gjuhën standarde dhe titulli u bë “Fshati midis ujërave”.
[21] Kongresi i Drejtshkrimit i zhvilluar më 20–25.11.1072, në prag të kremtimit të 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, mori një domethënie kombëtare dhe u mirëprit nga opinioni intelektual e qytetar në përgjithësi. Pas Kuvendit të Vlorës më 28.11.1912, ai ishte kuvendi i dytë me përfaqësues nga mbarë trojet shqiptare, ku nënshkruhej një rezolutë. Ishte e qartë se sanksionimi i bashkimit gjuhësor i kapërcente caqet e në çështjeje letrare-kulturore dhe përmbante mesazhin e një konvergjence kombëtare.
[22] Për këtë koine toske ka folur që më 1909 gjuhëtari i njohur i Universitetit të Vjenës, Gjergj Pekmezi, duke shënuar se në kundërvënie me gegërishten letrare të kohës, që “ka për themel dialektin e Shkodrës” (se prej andej kanë dalë gjithë shkrimtarët dhe arsimtarët), në Toskëri “kanë dalë shkrimtarë prej disa këndeve të Toskërisë, e pandajza gjuha literare e Toskërisë është një kullim jo vetëm i një dialektit të Toskërisë, po i disave.” (Shih te Diturija (Selanik), Mot’ i parë, 1 prill 1909, Nr. 4, f. 50). Të vihet re fjala kullim, e përdorur pak a shumë me kuptimin e termit koine.
[23] Khs, p.sh: “Nuk më duket e pamundshme të zgjerohet standardi në atë mënyrë që në tipa të caktuar ndërtimesh sintaksore të lejohet kombinimi infinitival i tipit gegë me me (a. duke e ruajtur të plotë formën e pjesores gege vetëm në ato funksione, ndërsa te mbiemrat formën aktuale standarde; b. duke kërkuar rrugë të tjera përmes formave të ndërmjeme të pjesores së shkurtë (si ardhë), por prapë me forma aktuale të mbiemrave, ose c. duke e ruajtur trajtën me prejardhje toske të pjesores, për të krijuar kështu paralelizëm të plotë me privativin; ç. është e mundshme edhe zgjidhja përmes lejimit të variacionit vetëm në tipe sintaksore infinitivale, për ata që e ndiejnë nevojën për të). Sado që tashmë kemi krijuar një shprehi dhe një imazh për normat e shqipes standarde pa paskajoren me me, pra vetëm me privativ pa, nuk është e pamundshme të kërkohen kombinime dhe zgjidhje të dobishme, qoftë edhe vetëm për t’i mbyllur burimet e pakënaqësive dhe të ankesave. Parimi i kompromisit dhe i kombinimit të elementeve të ndryshme strukturore me burim nga dy variantet e mëparme letrare në shqipen standarde, siç u tha, tashmë ekziston dhe kombinimet e tilla jo vetëm që nuk kanë shkaktuar vështirësi, po përkundrazi e kanë begatuar standardin. Nëse kemi vullnet të mirë për këtë, mund të gjinden edhe rrugë. Mendoj se në këtë mënyrë shqipja standarde vetëm i zgjeron hapësirat dhe mundësitë sintaksore dhe stilistike.” (Rexhep Ismajli, “Rreth shqipes standarde, kodeve të tjera dhe kontestimeve”. – në: Konferenca shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”. Tiranë, 11–12 nëntor 2002. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Shtëpia botuese “Shkenca”. Tiranë, 2003, f . 82).
Emil LAFE
[1] Quo vadis, Shqipëri? Antologji e përgatitur nga Ardian Klosi. Botime Albania. München 1993, f. 22–25. Artikulli ka mbetur gati i panjohur edhe në mjediset shkencore albanologjike.
[1] Përveç se te “Libertas”, deklarata u botua atë vit edhe te: Albanica. A Journal of Albanological Research and Criticism. (Editor Arshi Pipa, Washington DC), Winter 1992, Number 3–4, f. 121–123; dhe më pas te David Luka, Studime gjuhësore VII. Përmbledhje shkrimesh. “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2002, f. 11–14. (Prof. D. Luka jep këtu edhe disa sqarime për rrethanat e hartimit të kësaj deklarate dhe për disa dallime në variantet e botuara).
[1] Është domethënës rasti i poetit Zef Zorba (1920-1993), ish i dënuar politik, i cili pas daljes nga burgu (1951) qëndroi i shkëputur nga jeta publike, duke shkruar poezi që karakterizohen nga sintetizmi e hermetizmi. Autori nuk ndoqi tra traditën letrare shkodrane. Dorëshkrimi i vëllimit “Buzë të ngrira në gaz” u botua pas vdekjes më 1994. (Shih dhe te Fjalor enciklopedik shqiptar, vëll. 3, 2009, s.v.)
[1] E vetmja qendër vilajeti nga koha e Perandorisë Osmane, që mbeti brenda kufijve të Shqipërisë,
[1] I Padri gesuiti che vennero allora a Scutari erano quasi tutti italiani, perciò cominciarono a scrivere nella lingua del popolo, voltando le spalle al purismo e all’arcaicità della lingua e questo anche perché essa era l’unica che apprendevano e potevano perfezionare e completare attraverso i quotidiani contatti con la popolazione. (Namik Ressuli, Grammatica albanese. Patron editore. Bologna 1985, Introduzione, f. XXX)
[1] A. Klosi kërkon në thelb rikthimin te gjendja me toskërishte e gegërishte letrare dhe mënjanimin e formave të ardhura nga gegërishtja e të integruara organikisht në normën e sotme letrare. Shqetësimet serioze të krijuara nga ide të tilla të shtrira edhe në fusha të tjera i kanë frymëzuar shkrimtarit Ismail Kadare sprovën letrare “Mosmarëveshja – mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”. Onufri, Tiranë, 2010, 206 f.), ku në kreun X flet edhe për mosmarrëveshjen lidhur me gjuhën, duke vizatuar këtë tablo: (sipas “albanologëve të rinj shqiptarë”) “Gjuha duhej të ndahej përsëri në dy të folmet kryesore të saj. “Shqipja komuniste e Enver Hoxhës” duhej të tërhiqej nga skena dhe të riniste garën me shqipen tjetër, atë antikomuniste.” (f. 112)
[1] Në të vërtetë Kongresi la në fuqi alfabetin me 36 grafema, të krijuar nga Shoqëria e Stambollit më 1879 sipas parimit një fonemë – një grafemë; alfabeti i sotshëm u caktua si i dytë, por për epërsitë e tij teknike në tipografi, ai shpejt u bë mbizotërues dhe deklarata e Shpalljes së Pavarësisë më 28.11.1912 u shkrua me këtë alfabet.
[1] “Vorläufiger Bericht des Dr. Max Lambertz über seine linguistische Studien in Albanien von Mitte Mai bis Ende August 1916”. – në: Anzeiger der Kais. Akad. d. Wiss. in Wien. Linguist. Abt. XII. Wien 1916, f. 122–146. Duhet vënë në dukje ndërkaq se vetë autoritetet austro-hungareze ishin më fort të intersuara që Komisia të vepronte shpejt sesa për formën gjuhësore që do të vendosej, prandaj kërkonin herë pas here që puna të mos zvarritej.
[1] Më herët G. Weigand-i qe shprehur se Elbasani, me pozitën e vet gjeografike do të ishte shumë i përshtatshëm për t’u bërë kryeqytet i Shqipërisë së pavarur dhe hapja e shkollës Normale në atë qytet (1909) ishte një fillim i mirë për ta vlerësuar dialektin e Elbasanit si bazë të shqipes letrare, sepse ai, duke përmbledhur të gjitha karakteristikat e gegërishtes, është jo vetëm dialekti më i kuptueshëm për të gjithë Shqiptarët, por edhe dialekti që mund të mësohet më lehtë. (Shih: Albanesische Grammatik im südgegischen Dialekt (Durazzo, Elbasan, Tirana) von Prof. Dr. Gustav Weigand. Lepzig, 1913. Vorrede IV–VI).
[1] Laimet e Komisís Letrare Shqipe në Shkodër. Vjet I, Numër 1, Kallënduer 1918. Boton Komisíja Letrare Shqipe, Shkodër, f. 11 (vendimi është i datës 31 janar 1917). M. Lambertz-i, që u kthye më vonë në Shkodër, u pajtua me këtë vendim pasi bëri një udhëtim studimor në Shqipërinë e Mesme deri në Berat.
[1] Nuk kanë munguar edhe komente kritike, si p.sh. nga ana e filologut Namik Ressuli, që është shprehur se: “Se prima di allora gli Albanesi scrivevano o in scutarino (nordghego) o in tosco, dopo le decisioni della Commissione cominciano ad usare il dialetto di Elbasan come «futura lingua comune» specialmente negli atti ufficiali dello stato e nei testi scolastici; cominciò cioè ad usare un sottodialetto che in verità una tradizione letteraria non aveva mai avuto. Si ricorderà che in questa parlata precedentemente si conoscevano soltanto scritti di testi sacri, tradotti però anche in tosco, da Kostandin Kristoforidhi (che poi non era propriamente la pura parlata di Elbasan, ma una specie di «koiné» medio-ghega elaborata dal traduttore). Cosi in questo modo le lingue letterarie usate in Albania, per nostra disgrazia e confusione passavano da due a tre. Sostenitori accaniti di questa terza lingua furono alcuni vecchi insegnanti albanesi e tra questi si distinesero specialmente due: Aleksandër Xhuvani, nativo di Elbasan per anni quasi sempre direttore della Scuola Normale di questa città e Karl Gurakuqi, un altro valoroso insegnante di albanese tanto attaccato alle tradizioni scutarine da pensare che attraverso il dialetto di Elbasan si potesse piano piano imporre lo scutarino.” (Grammatica albanese. Introduzione, f. XXXIII)
[1] Shih: “Mbi djalektin zyrtar” (Fletorja zyrtare, Tiranë, 21 Kallnduer 1923, vjeti II, Nr. 3, f. 1). Të vihet re përcaktimi djalekt zyrtar, d.m.th. jo rregulla gjuhësore të përcaktuara, po një bazë dialektore në përgjithësi për t’u zbatuar sipas njohurive gjuhësore të nëpunësve të administratës.
[1] Kështu p.sh. Eqrem Çabej, tekstin e tij “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe për shkollat e mesme” (1936) e ka shkruar në toskërishten letrare të kohës (me disa elemente të dukshme të së folmes së tij amtare gjirokastrite). Por parathënia e këtij teksti nga ministri i Arsimit i kohës, dr. Nush Bushati, është shkruar gegërisht, më fort sipas dialektit amtar të autorit (shkodrnishte), sesa për të respektuar disiplinën gjuhësore të shtetit.
[1] Emil Lafe, “Nga liberalizmi gjuhësor te domosdoshmëria e gjuhës standarde”. – Gjuha shqipe (Prishtinë) 33/2015, nr. 3, f. 67–80.
[1] Teki Selenica, Shqipria më 1927. Tiranë, Shtypshkronja “Tirana”, 1928, f. CLVI. Autori, statistikani i parë i shtetit shqiptar, i ka lejuar vetes të shkruajë sipas mënyrës së vet, d.m.th. pak a shumë në të folmen e Dangëllisë (Përmet), prej nga ishte. Ky libër i vëllimshëm (rreth 760 faqe), është një dëshmi domethënëse e luhatjeve të panumërta drejtshkrimore e gramatikore në shqipen e shkruar të kohës.
[1] Si vëzhgues i kujdesshëm i ecurisë së zhvillimit të gjuhës letrare, ai arriti ta vlerësonte që më 1949 rolin e kryeqytetit si qendra më e madhe e zhvillimit të toskërishtes, ku ajo “do të fitojë tërë ç’i duhet për të shkrirë në njësi harmonike divergjencat që lindin nga zhvillimet gjuhësore” për hir të një procesi shkrahinarizimi dhe përgjithësimi (termat e tij). E shprehur me një terminologji tjetër, kjo mund të quhet krijimi i një koineje mbidialektore, e cila me kohë merr shtrirje kombëtare, bëhet formë e përbashkët e gjuhës së shkruar dhe të folur. Ajo që kishte parashikuar K. Cipoja, u vërtetua në vitet ’50–’60.
[1] Artikuj gegërisht janë botuar madje edhe në revistën “Studime filologjike” të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, që punonte për njësimin e gjuhës letrare.
[1] Sipas formës dialektore shiptar ‘shqiptar’ të Kosovës. Dialekti i Kosovës (gegërishtja verilindore) nuk arriti të krijonte ndonjëherë një traditë letrare.
[1] Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (Projekt). Komisioni hartues: Androkli Kostallari, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Emil Lafe (asistent). Universiteti Shtetëror i Tiranës Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë, 1967, 214 f. Në atë kohë, pas shkarkimit të Aleksandër Rankoviçit (ish-ministër i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë), trysnia politike serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë nisi të lehtësohej.
[1] Ka pasur jo rrallë keqkuptime sikur autorët e traditës gege duhej të ktheheshin në gjuhën standarde. Por kjo nuk ka ndodhur. Ata vijuan të botoheshin, të viheshin në skenë e të studioheshin në shkolla në formën origjinale. Por autorët që deri nga fundi i viteve ’60 kishin shkuar gegërisht, siç e përmendëm më lart, kaluan vetë në gjuhën e njësuar. Kështu Kolë Jakova, autor i romanit “Fshati midis ujnave” (1972), vëllimin III (1980) e shkroi në gjuhën standarde dhe titulli u bë “Fshati midis ujërave”.
[1] Kongresi i Drejtshkrimit i zhvilluar më 20–25.11.1072, në prag të kremtimit të 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, mori një domethënie kombëtare dhe u mirëprit nga opinioni intelektual e qytetar në përgjithësi. Pas Kuvendit të Vlorës më 28.11.1912, ai ishte kuvendi i dytë me përfaqësues nga mbarë trojet shqiptare, ku nënshkruhej një rezolutë. Ishte e qartë se sanksionimi i bashkimit gjuhësor i kapërcente caqet e në çështjeje letrare-kulturore dhe përmbante mesazhin e një konvergjence kombëtare.
[1] Për këtë koine toske ka folur që më 1909 gjuhëtari i njohur i Universitetit të Vjenës, Gjergj Pekmezi, duke shënuar se në kundërvënie me gegërishten letrare të kohës, që “ka për themel dialektin e Shkodrës” (se prej andej kanë dalë gjithë shkrimtarët dhe arsimtarët), në Toskëri “kanë dalë shkrimtarë prej disa këndeve të Toskërisë, e pandajza gjuha literare e Toskërisë është një kullim jo vetëm i një dialektit të Toskërisë, po i disave.” (Shih te Diturija (Selanik), Mot’ i parë, 1 prill 1909, Nr. 4, f. 50). Të vihet re fjala kullim, e përdorur pak a shumë me kuptimin e termit koine.
[1] Khs, p.sh: “Nuk më duket e pamundshme të zgjerohet standardi në atë mënyrë që në tipa të caktuar ndërtimesh sintaksore të lejohet kombinimi infinitival i tipit gegë me me (a. duke e ruajtur të plotë formën e pjesores gege vetëm në ato funksione, ndërsa te mbiemrat formën aktuale standarde; b. duke kërkuar rrugë të tjera përmes formave të ndërmjeme të pjesores së shkurtë (si ardhë), por prapë me forma aktuale të mbiemrave, ose c. duke e ruajtur trajtën me prejardhje toske të pjesores, për të krijuar kështu paralelizëm të plotë me privativin; ç. është e mundshme edhe zgjidhja përmes lejimit të variacionit vetëm në tipe sintaksore infinitivale, për ata që e ndiejnë nevojën për të). Sado që tashmë kemi krijuar një shprehi dhe një imazh për normat e shqipes standarde pa paskajoren me me, pra vetëm me privativ pa, nuk është e pamundshme të kërkohen kombinime dhe zgjidhje të dobishme, qoftë edhe vetëm për t’i mbyllur burimet e pakënaqësive dhe të ankesave. Parimi i kompromisit dhe i kombinimit të elementeve të ndryshme strukturore me burim nga dy variantet e mëparme letrare në shqipen standarde, siç u tha, tashmë ekziston dhe kombinimet e tilla jo vetëm që nuk kanë shkaktuar vështirësi, po përkundrazi e kanë begatuar standardin. Nëse kemi vullnet të mirë për këtë, mund të gjinden edhe rrugë. Mendoj se në këtë mënyrë shqipja standarde vetëm i zgjeron hapësirat dhe mundësitë sintaksore dhe stilistike.” (Rexhep Ismajli, “Rreth shqipes standarde, kodeve të tjera dhe kontestimeve”. – në: Konferenca shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”. Tiranë, 11–12 nëntor 2002. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Shtëpia botuese “Shkenca”. Tiranë, 2003, f . 82).










