Ambasadori Ilir Gjoni, falënderon komunitetin për bashkëpunim dhe për lartësimin e prestigjit të shqiptarëve në Zvicër

Nga Rexhep Rifati -19.7. 2023

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, në Bernë, Ilir Gjoni me rastin emërimit Ambasador i Shqipërisë në NATO, përmes portalit tonë prointegra.ch, iu drejtohet bashkëkombësve tanë me një falënderim për bashkëpunimin gjatë mandat të tij. Me këtë rast duke i uruar ambasadorit Gjoni shumë suksese në detyrën e re me shumë përgjegjësi, po e botojmë letrën në mënyrë integrale:

“Pas një periudhe relativisht të gjatë shërbimi si Ambasador i Shqipërisë në Zvicër, mandati im zyrtarisht ka përfunduar për të vazhduar me një sfidë tjetër profesionale. Gjatë kohës sime këtu në Zvicër, kam pasur privilegjin dhe mundësinë të takohem me shumë prej jush në raste të ndryshme, duke festuar Ditën e Flamurit, inaugurimin e klasave për mësimin e gjuhës shqipe apo në shumë momente gëzimi për komunitetin tonë. Në pamundësi për t’ju përshëndetur të gjithëve personalisht, po përfitoj nga kjo mundësi që më ofrohet për t’u drejtuar të gjithëve juve me disa fjalë mirënjohje për mbështetjen tuaj gjatë kohës sime në detyrë.

 

Shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj të gjithë ndjekësve të portalit Prointegra.ch për kontributin e dhënë në promovimin e vlerave të diasporës shqiptare në Zvicër. Gjate kohës sime si Ambasador i Shqipërisë në Zvicër, vlerësoj sinqerisht përkushtimin dhe bashkëpunimin tuaj, të cilat kanë ndihmuar në forcimin e lidhjeve të shqiptarëve në këtë vend. Ka qënë një kënaqësi e veçantë të punoj me ju dhe të takoj shumë prej jush në veprimtaritë tona të përbashkëta. Bashkëpunimi dhe përkrahja që kam marrë nga ju gjithmonë kanë qenë fryt i përkushtimit dhe devotshmërisë tuaj ndaj Atdheut dhe komunitetit tonë në Zvicër.

 

Në rolin tim si Ambasador, kam pasur kënaqësinë të ndjek me vëmendje arritjet tuaja dhe të shoh si keni rritur ndërgjegjësimin dhe vlerësimin për të gjitha cilësitë e mrekullueshme të kombit tonë. Përkushtimi dhe puna juaj janë fryt i dashurisë dhe devotshmërisë tuaj ndaj Atdheut dhe komunitetit tonë. Kemi bashkëpunuar në promovimin e interesave dhe vlerave të komunitetit shqiptar, duke ndërtuar ura të reja për bashkëpunim dhe solidaritet. Në çdo takim dhe aktivitet, kam parë angazhimin dhe dashurinë tuaj për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të rritur ndërgjegjësimin për trashëgiminë tonë të përbashkët duke bërë të mundur që komuniteti ynë të ndjehet afër vendlindjes dhe të ruajë identitetin tonë unik. Nëpërmjet kësaj pune të papërtuar, e konkretizuar në forma nga më të ndryshmet, duke përfshirë këtu kërkimin shkencor dhe thellimin studimor në lëmin e fushave nga më të larmishmet, pasurimin me informacione, e me botime nga më të veçantat dhe më të nevojshmet, Prointegra ka krijuar dhe është shndërruar në një urë solide ndërmjet komunitetit shqiptar në Zvicrës dhe jashtë saj.

 

Ngritja e nivelit të mësimit të gjuhës shqipe dhe promovimi i kulturës sonë nëpërmjet aktiviteteve artistike dhe kulturore kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë ndaj identitetit tonë kombëtar.

 

Në përfundim të mandatit tim, dëshiroj të theksoj se suksesi që kemi arritur ju takon juve. Ju jeni forca e komunitetit tonë dhe pa përkrahjen dhe pjesëmarrjen tuaj të vazhdueshme, nuk do të kishim arritur kaq shumë. Jeni ju që keni lartësuar prestigjin e shqiptarit në Zvicër përmes punës, ndershmërisë e përkushtimit.

 

Së fundi por jo nga rëndësia, dëshiroj të veçoj dy individë:- zotin Rexhep Rifati dhe Osman Osmani, si aktivistë a patriotë kyç në shërbim të çështjes kombëtare. Kontributi dhe përkushtimi i tyre janë jashtëzakonisht të vlefshme dhe kanë sjellë rezultate të rëndësishme në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimit të identitetit shqiptar në Zvicër. Rexhep Rifati, ky patriot i jashtëzakonshëm, pavarësisht moshës së tij, tejkalon me angazhimin dhe përkushtimin e tij një djalë 25-vjeçar. Me vullnetin dhe përkushtimin e tij të pafund, ka shërbyer si një model shembullor i patriotizmit për të gjithë ne. Ai nuk njeh kufij të globit ku ndodhen shqiptarët për të dokumentuar praninë e tyre, zakonet dhe doket tona. Baca Rexhe, sic e thërrasim rëndom, nuk ka hezituar kurrë të ndihmojë dhe të promovojë vlerat e kombit tonë kudo në botë duke na bërë të ndjehemi të lidhur edhe në largësi.

 

Nga ana tjetër, Osman Osmani, ky sindikalist, idealist dhe i përkushtuar ndaj drejtësisë për punëtorët dhe në përgjithësi për njerëzit e punës. Ai është i palodhur dhe i përkushtuar ndaj shërbimit për kombin tonë. Me angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe besimin e pandërprerë në çështjet e drejtësisë sociale, ai është bërë një zë i fortë për ata që punojnë dhe një frymëzim për të gjithë ne.

 

Megjithatë, pas një grupi intelektualësh në Zvicër, si Rexhep Rifati apo Osman Osmani, e shumë të tjerë, qëndron një punë voluminoze dhe vetëmohuese e një ekipi pasionant dhe një kontributi vullnetar të papërsëdytë. Ky përkushtim dhe kontribut i pakushtëzuar bashkohet me simbolikën e përfaqësimit dinjitoz të një komuniteti që është integruar plotësisht në Konfederatë e Zvicrës, por duke mëtuar ruajtjen e elementeve identitarë.

 

Si Ambasador, ndihem krenar që kam pasur nderin dhe privilegjin të bashkëpunoj e ndërveproj me këto personalitete të komunitetit tonë ashtu si dhe më shumë prej jush. Falë punës së palodhur të patriotëve të tillë, shumë shqiptarë kanë bashkuar forcat për të përforcuar lidhjen tonë kombëtare dhe për të promovuar kulturën dhe trashëgiminë tonë të bukur në këtë vend miqësor si Zvicra.

 

Shpreh bindjen se do të vazhdoni punën tuaj dhe do të jeni gjithmonë të përkushtuar ndaj interesave të përbashkëta të komunitetit shqiptar. Bashkëpunimi dhe solidariteti ynë janë thelbësorë për të forcuar rolin dhe ndikimin tonë në shoqërinë zvicerane.

 

Me respekt dhe mirënjohje të thellë, uroj të gjithëve juve shëndet, sukses dhe lumturi në të gjitha përpjekjet tuaja të ardhshme.

 

Me respekt të thellë,”

 

Ilir Gjoni, Ambassador