Isuf Ismaili: Mësimdhënësit shqiptarë në një mbrëmje suksesi e festive

7 Marsi – Dita e Mësuesit, Dita e Shkollës Shqipe, festohet tanimë kudo në trevat shqiptare dhe në mërgatë (diasporë).

Në çdo 7 mars mësuesit dhe nxënësit, punonjësit e arsimit e të kulturës e kujtojnë edhe historinë e arsimit, ditën kur për herë të parë më, 7 mars 1887 në Korçë u hap shkolla e parë, në kuptimin e një zyrtarizmi. Dihet tanimë se arbëreshët – shqiptarët janë të lidhur me gjuhën e nënës si zemra e shëndoshë në trupin e shëndoshë. Gjuha është tipari kryesor që na ka lidhur si një popull, i veçantë me vlera të larta kulturore e shpirtërore.

Akademik Emil Lafe ka thënë: “ Shqiptarët u bashkuan rreth gjuhës shqipe, siç janë bashkuar gjithmonë rreth gjuhës shqipe e flamurit kombëtar, për të dalë para botës si një njësi, si një unitet, për të treguar lidhshmërinë shpirtërore e kulturore, duke i hapur rrugë zhvillimeve të tjera të natyrshme.”

Atdhedashësit shqiptarë gjithmonë kanë bërë përpjekje për të hapur shkolla shqipe, ndaj poeti ynë i madh Naim Frashëri e mendimtari i shquar Sami Frashëri, vëlla më vogël se Abdyli e Naimi, ia dolën me vështirësi të mëdha të siguronin lejen për shkollën e parë më, 7 mars 1887, ndonëse shkolla private ka pasur, por edhe në kisha e në xhamia kur ka pasur klerikë shqiptarë atdhedashës, ua kanë mësuar fëmijëve dhe të rriturve gjuhën shqipe. Edhe në ngulimet arbëreshe pati shkolla arbëreshe, siç është ajo, në Horën Arbëreshe në Sicili më, 1587, por ato nuk e dimë si kanë qenë të organizuara, dhe rrjedhimisht vetëm shkolla e parë shqipe në Korçë qe zyrtare në Shqipëri, mbas përpjekjeve të mëdha me gjak e sakrifica , me diplomaci e me dije të mëdha të patriotëve shqiptarë, megjithëkëtë ne mund të flasim se pas një errësire të plotë kulturore e arsimore, shkolla e parë shqipe ishte dielli që shkëlqeu dhe përhapi rrezet kudo në trevat shqiptare, ndaj u hapën shkolla të shumta kudo. Kështu u hap edhe Normalja e Elbasanit 1908, në të cilën përgatiteshin mësuesit e rinj për të përhapur sa më shumë rrezet e diturisë në trevat shqiptare.

Ne mund të themi shumë edhe për historikun e shkollave shqipe, por ne do të ndalemi te organizimi i shkollave shqipe që u përhapën në Zvicër këto kohët e fundit.

Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe – LAPSh” në Zvicër e udhëhequr nga Profesor Dr. Vaxhid Sejdiu është një histori e shkëlqyer e suksesit. Në Zvicër nga vatra jonë arsimore janë hapur më shumë se njëqind (100) dyer shkollash për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ne mund të themi me krenari se nxënësit shqiptarë, pjesa me madhe e tyre mësojnë mirë dhe kanë dëshirë për të shfaqur krenarinë e qenësisë shqiptare, ata nëpërmjet poezive, nëpërmjet këngëve e valleve, nëpërmjet pasurisë së shkëlqyer shqiptare dëshmojnë edhe punën e aktivitetin, por edhe përkushtimin e madh të mësimdhënësve të tyre. Kështu, atyre iu këndon zemra në gjuhën shqipe, në gjuhën e nënës, ata me krenari tregojnë për historinë e trevat shqiptare, me dashuri të madhe e theksojnë emrin Shqipëri, emrat e trevave të tjera shqiptare si Kosovë, Çamëri, Tetovë, Kumanovë, Strugë, Dibër, Ulqin, Plavë etj.

 

Kultura kombëtare që fëmijët kanë marrë, është dëshmi përgjithshme gjuhësore, letrare, historike, gjeografike, logjike dhe një rrjedhshmëri e natyrshme e vazhdimësisë shqiptare. Nxënësit me paraqitje të tilla vërtetojnë se ardhmja e tyre ka baza të fuqishme për të shkëlqyer në shumë drejtime nga lëmenjtë e diturisë shqiptare.

Kështu për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, u mbajtën manifestime kulturore, për të cilat kemi shkruar edhe më parë.

Para dy ditësh u mblodhën mësimdhënësit e shkollave shqipe në Zvicër në një darkë të përbashkët në një restorant në Zug.

Aty përveç kujtimeve të shkëlqyera në punë e në mësime me nxënës, u përmendën edhe shumë të dhëna e shumë vlerësime për shkollat, për nxënësi, për materialet, për aktivitetet e shumta kulturore e arsimore.

Siç u theksua edhe më sipër, për sukseset tona, për punën e organizimet tepër të mira, mësimdhënësit shqiptarë të vatrës sonë festuan atë natë.