Epopeja  e lavdisë  kombëtare

shkruan: Vaxhid Sejdiu

Manifestime të tilla kombëtare lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të mërgimtarëve kudo që jetojnë. Epopeja e Jasharajve mbetet personifikim i sakrificës dhe i idealit se si jetohet, punohet dhe vdiset për atdhe. Sakrifica sublime e kësaj familjeje heroike është dhe do të mbetet një kapitull i rëndësishëm i historisë sonë kombëtare.

Manifestimi “Kurora e Lirisë” mori një kuptim të veçantë, me pjesëmarrjen e qindra e qindra mërgimtarëve nga shumë kantone të Zvicrës, së bashku me përfaqësues diplomatikë e institucionalë, si dhe përfaqësues të shumtë shoqatash e personalitete nga fusha të ndryshme.

Paraprakisht u hap edhe ekspozita fotografike “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare”, e cila rikujtoi përmes fotografive sakrificën dhe qëndresën e familjes Jashari.

Fjalë rasti mbajtën akademiku Agim Vinca, i cili foli për rëndësinë historike të Familjes Jashari, si dhe Lulzim Jashari, djali i Heroit legjendar Adem Jashari. Ai u nderua nga të pranishmit me ngritje në këmbë, në shenjë respekti për sakrificën sublime të familjes së tij.

Dhjetëra grupe artistike nga kantone të ndryshme u prezantuan me këngë dhe valle, duke dëshmuar një nivel të lartë kulturor të komunitetit shqiptar në Zvicër. Manifestimi mori përmasat e një festivali të madh kulturor.

Pika kulmore e mbrëmjes ishte paraqitja e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova, i cili shkëlqeu me interpretimin e tij plot elegancë dhe muzikalitet, duke u shpërblyer me duartrokitje të gjata nga publiku.

Një mbrëmje që dëshmoi edhe një herë se kujtesa historike, kultura dhe dashuria për atdheun i bashkojnë shqiptarët kudo që jetojnë.