Vaxhid Sejdiu: Shkolla Shqipe në Zvicër, histori suksesi
Për t’iu përgjigjur pyetjes së Znj. Hysa rreth “Shkollës Shqipe” në Zvicër, e cila vërtet mund të thuhet se është histori suksesi dhe si tillë mund të merret si model për shtimin e shkollave shqipe në mërgatën shqiptare, mund ta përfshijë shkurt për hir të kohës, me disa fjali:
Për të arritur në një shkallë të këtillë një shoqatë apo një lidhje e mësuesve apo e shkollave nevojiten 4-5 gjëra, të cilat janë të domosdoshme për organizimin e mirëfilltë të mësimit plotësues në diasporë.
E para, duhet të bashkëpunohet ngushtë me institucionet tona të arsimit dhe të punëve të jashtme në veçanti me ambasadat tona, të cilat kanë mundësi të ndihmojnë në të gjitha pikëpamjet. Rasti i Zvicrës veçon Ambasadën Shqiptare në Bernë të Zvicrës, për punën dhe përkushtimin në këtë histori suksesi të veçantë.
E dyta, nevojiten drejtues që sakrifikojnë kohën dhe dijen në shërbim të gjuhës shqipe, të cilët durojnë shumë çka për hir të interesit të përgjithshëm, të punojnë dhe veprojnë me gjithë përkushtimin e tyre. Një sakrificë e këtillë është e domosdoshme. Pra, është në pyetje filozofia e punës.
E treta, t`u hapet rruga të gjithë kolegëve pa dallim nga të gjitha trojet shqiptare me qëllim që misioni të jetë i realizueshëm. T`i këshillojë ata dhe t`i ndihmojë në çdo kohë.
E katërta, duhet të komunikojnë urtë me prindërit shqiptarë, të cilët janë themel i shkollave shqipe dhe përkrahësit më të mëdhenj në këtë rrugëtim, pavarësisht nivelin e tyre arsimor, sepse ne në mërgatë nuk mund t`i ndryshojmë shumë gjërat.
E pesta, duhet të bëhet një përzgjedhje e prindërve, e atyre të cilët e duan arsimin, gjuhën dhe kulturën kombëtare, por edhe janë në gjendje të sakrifikojnë kohën e tyre në shërbim të arsimit shqip dhe me ta, të formohen këshillat prindëror.
E gjashta duhet urtë dhe qartë të bashkëveprohet me institucionet vendore,
Dhe një mori faktorësh të cilët në mungesë të kohës dhe rastit nuk kam kohë t`i bashkërendis para jush.
Por, të nderuar pjesëmarrës, unë jam këtu edhe në cilësinë e anëtarit të KKD-së për një kërkesë shumë të rëndësishme për gjuhën dhe kulturën kombëtare, që dua, t`ua drejtoj Ministres sonë të nderuar znj. Manastirliu dhe Ministrit po ashtu të nderuar z.. Hasani, të cilët besoj dhe shpresoj se do t`ua përcjellin kryeministrave dhe qeverive të shteteve tona.
Fjalë është për organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në platformën online për të gjithë fëmijët shqiptarë, kudo në mërgatën shqiptare. PO E PËRSËRIS KËRKESËN, pra të përcaktohemi edhe për mësimin Online, kërkesë që ua kemi dërguar edhe zyrtarisht.
E di se çdo fillim është i vështirë, por asgjë nuk zhvillohet pa u filluar. Po e shtrojmë këtë kërkesë me rastin e përvjetorit të 116-të të Kongresit të Alfabetit, të shpirtndriturve, të cilët na e lanë amanet alfabetin e bekuar. Kështu ne nëpërmjet mësimit online, mund ta vazhdojmë edhe në mënyrë më të organizuar amanetin e tyre, sepse në këtë mënyrë përhapim “dritën e diturisë”, në gjuhën amtare, kudo ku ka shqiptarë, duke i shfrytëzuar mediat elektronike, platformat digjitale, dhe i japim një frymëmarrje të re gjuhës së shekujve – gjuhës shqipe.
Ndokush mund të thotë, se përse po e bëjmë këtë kërkesë sot.
Po e themi, sepse ne anëtarë e KKD-së besojmë dhe shpresojmë në gatishmërinë tuaj, për të bërë gjëra të mira në shërbim të arsimit shqip, në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare, në shërbim të ruajtjes së identitetit kombëtar.
Të nderuar ministra ne anëtarët e KKD-së jemi të gatshëm, në çdo kohë që këtë kërkesë shoqëruar me kërkesa dytësore, si licencimi i mësuesve, krijimi i certifikatave për nxënësit, të cilët mbarojnë programin shkollor etj., ta detajojmë para ekspertëve tuaj dhe bashkërisht, siç thashë, t`i japim frymëmarrjen e merituar gjuhës shqipe.