Në mërgatë me ADN-në shqiptare: në mes kujtesës historike dhe përgjegjësisë kombëtare

shkruan: Vaxhid Sejdiu

]

Në mërgatë me ADN-në shqiptare: mes kujtesës historike dhe përgjegjësisë kombëtare

shkruan: Vaxhid Sejdiu

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, komuniteti shqiptar në Zvicër u mblodh në një aktivitet të veçantë kushtuar asaj që u quajt me të drejtë “ADN-ja shqiptare” – një metaforë e fuqishme që përmbledh identitetin, historinë dhe shpirtin e një kombi të lashtë.

Që në fjalën hyrëse, organizatorët theksuan rëndësinë e kësaj dite si një moment bashkimi rreth vlerave që na përkufizojnë si shqiptarë: gjuha, kultura, historia dhe ndjenja e përkatësisë. “Të jesh shqiptar nuk është vetëm përkatësi. Është ndjenjë, kujtesë dhe përgjegjësi”, u shpreh në hapje, duke vendosur tonin e një programi që ndërthurte reflektimin me artin.

Aktiviteti u hap nga nxënësit e shkollave shqipe, të cilët, nën drejtimin e mësueses Qefsere Sejdiu, interpretuan Himnin e Flamurit dhe këngën domethënëse “Pse jemi të ndarë?”. Pyetja e ngritur prej tyre u shndërrua në një bosht reflektimi gjatë gjithë programit, duke ftuar pjesëmarrësit të mendojnë mbi sfidat dhe nevojën për unitet kombëtar.

Një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e aktivitetit pati moderatorja Blenda Nyfeler, e cila me profesionalizëm dhe elegancë përcolli përshëndetjet dhe falënderimet për të gjithë mysafirët dhe kontribuuesit. Në emër të organizatorëve, ajo vlerësoi angazhimin e Këshillit Organizues dhe shprehu mirënjohje për të gjitha shoqatat dhe individët që bënë të mundur realizimin e këtij aktiviteti.

Në mënyrë të veçantë, ajo falënderoi Shoqatën “Bashkimi” në Uster, nën drejtimin e Guximtar Alushit dhe Bekim Bajraktarit; Shoqatën “Atdheu” nga Thuni, me kryetarin Xhemshir Zenuni; si dhe Shkollën Shqipe në Uster, me mësuesin Vaxhid Sejdiu. Gjithashtu u falënderuan veprimtarët për kontributin e dhënë në organizim: Lulzim Kadriu, Shpend Limoni, Emiljano Hoxha, Kushtrim Sylejmani, Emrullah Sallahu dhe Bujar Zajmi.

Një falënderim i veçantë shkoi për studentët e universiteteve të Bernës, Cyrihut, St. Gallenit, Zugut dhe Baselit, përfaqësuesit e shoqatave “Shota”, “Albakult”, “Drita–Iliria”, “Trojet”, “Gjergj Kastrioti”, “Vatra”, “Nënë Tereza”, si dhe mësueset dhe mësuesit e shkollave shqipe në Zvicër. Po ashtu u falënderuan edhe mediat që kanë dhënë një kontribut të çmuar në këtë drejtim: “albradio”, “albinfo.ch”, TV21 me teknikët e saj Gyner Muja dhe Agron Musmurati, si dhe fotografi i mirënjohur Afrim Nevzadi.

Manifestimin e begatuan përfaqësuesit diplomatikë, përfshirë ambasadorin e Shqipërisë, z. Ermal Dredha, konsullin e Republikës së Kosovës, z. Vigan Berisha, si dhe z. Valon Gashi, sekretar i Ambasadës shqiptare.

Thirrja për një duartrokitje të përbashkët u shndërrua në një moment simbolik vlerësimi për gjithë kontributin e diasporës.

Një nga momentet kulmore të programit ishte prania e studiuesit dhe gazetarit të njohur Marin Mema, e paralajmëruar javë më parë. Në fjalën e tij, ai solli reflektime të thella mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe identitetit kombëtar. “Kemi nevojë ta duam më shumë vendin tonë”, theksoi ai, duke nënvizuar se një komb me identitet të fortë është një komb më i qëndrueshëm dhe më i bashkuar.

Përmes shembujve të shumtë nga hulumtimet e tij mbi rrënjët shqiptare, ai ka sjellë shpesh fakte dhe të vërteta që kanë lënë publikun pa fjalë. Nëpërmjet materialeve filmike, ai dëshmoi për proceset e asimilimit të shqiptarëve në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Greqi, duke ngritur një pyetje thelbësore mbi të drejtën e njeriut për të jetuar dhe për t’u shprehur në gjuhën e vet.

Ai theksoi se shumë familje shqiptare në këto treva kanë përjetuar presione të vazhdueshme, deri në ndalimin e përdorimit të gjuhës amtare, duke përfunduar në një asimilim të dhunshëm. Rrëfimet e tyre përbëjnë jo vetëm një tragjedi kombëtare, por edhe një tragjedi njerëzore, duke dëshmuar për dhimbjen dhe dëshirën për t’u kthyer te rrënjët.

Prezantimi i tij u nda në dy pjesë, duke u dhënë hapësirë edhe të rinjve, nxënësve të shkollave shqipe dhe anëtarëve të shoqatave që të shprehin atdhedashurinë e tyre ndaj gjuhës dhe identitetit. Pjesëmarrësit e shumtë e mirëpritën me duartrokitje dhe interes të madh, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj kontributit të tij.

Me interes të veçantë u përcoll edhe fjala e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Dredha, i cili përgëzoi organizatorët, nxënësit, mësuesit, shoqatat dhe gjithë komunitetin shqiptar për angazhimin në ruajtjen e identitetit kombëtar. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e Marin Memës në shërbim të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare. Ndër të tjera, ai përgëzoi mësuesin Vaxhid Sejdiu për punën e tij në shërbim të komunitetit, duke përmendur edhe vlerësimin me medaljen “Shqiponja e Artë” në Samitin e Diasporës në Tiranë. Ambasadori theksoi mbështetjen e vazhdueshme institucionale për nisma të tilla, në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Kosovës.

Programi artistik solli një larmi interpretimesh që prekën emocionet e të pranishmëve. Vëllezërit Arbnor dhe Rrezart Kuqi interpretuan këngën “Çka i bashkon shqiptarët me gjak – gjuha e nënës si zambak”, ndërsa artisti Med Sadrija solli një recital me ngarkesë të lartë emocionale. Këngëtarja Ylljona Shala përcolli ndjenjën e mallit përmes këngës “Udhët e mia”.

Një vend të veçantë zunë edhe vallet tradicionale, të cilat sollën në skenë gjallërinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Shoqata “Atdheu” nga Thuni prezantoi “Vallen e Librazhdit”, ndërsa Shoqata “Bashkimi” nga Uster interpretoi vallen “Zoga kaçake në Mal” me motive labe (realizuar nga koreografi Genc Kastrati), duke dëshmuar se folklori shqiptar vazhdon të jetojë edhe në mërgatë.

 

Në fillim të aktivitetit, pjesëmarrësit patën rastin të njihen me veprat artistike të artistëve shqiptarë Florim Shaqiri, Kushtrim Zeqiri, Dren Emini, Eshref Berisha, Florim Hasani, Avdi Hajdari, Naser Dushica, Rexhep Leci, Visar Kryeziu dhe Kushtrim Sylejmani, nën drejtimin e të cilit u organizua dhe u zhvillua kjo ekspozitë.

Në përmbyllje, organizatorët rikujtuan mesazhin thelbësor të kësaj dite: identiteti shqiptar nuk është vetëm trashëgimi, por mbi të gjitha përgjegjësi – për ta ruajtur, kultivuar dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.

Ky aktivitet nuk ishte vetëm një festë kulturore, por një thirrje për vetëdije kombëtare. Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, ruajtja e ADN-së shqiptare mbetet një mision i përbashkët – një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen dhe mban gjallë shpirtin e një kombi, kudo që ai jeton.

Dhe, në fund, por me një rëndësi të veçantë, një falënderim i përgjithshëm për të gjithë organizatorët, e mbi të gjitha për Shoqatën “Bashkimi”, e cila mbarti mbi supe pothuajse gjithë organizimin e aktivitetit, si dhe për valltarët e kësaj shoqate dhe të Shoqatës “Atdheu” në Thun.

Një bashkim forcash që rezultoi me sukses dhe një mirënjohje për të gjithë ata të cilët jo vetëm që ishin shtyllë e organizimit, por edhe për pjesëmarrësit që begatuan pjesën artistike, si dhe për ata që erdhën ta shijojnë këtë ditë festive në shërbim të së vërtetës historike, të gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.