Hapet pika shkollore në Amrisvil të kantonit Turgau

Edhe sot në përvjetorin pavarësisë së Kosovës u hap një klasë për mësimin e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në Amrisvil (Amriswil) të kantonit Turgau (Thurgau). Kjo ditë, patjetër, duket edhe më e bukur nga gumëzhitja e zërave të gëzuar të fëmijëve shqiptarë që për herë të parë fillojnë, si zogj, të këndojnë në gjuhën shqipe. Edhe sot, kur po e shënojmë festën e Kosovës martire, këtë festë të kalendarit të historisë shqiptare,  suksesi ynë po ec me hapa të mëdhenj edhe në vatrën tonë arsimore “Shkolla Shqipe”, këtu në Zvicër. Kjo ditë nuk do të dukej kaq e bukur pa këta fëmijë shqiptarë, të cilët pikërisht me datën, 17 shkurt 2024 filluan mësimin në shkollën shqipe….

 

Edhe buzëqeshja duket më e bukur me abetare në dorë! – Nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Amrisvil të Kantonit të Turgaut së bashku me mësuesen e tyre Valbonë Alili

Të shtunën me datë, 17 shkurt 2024 “Shkolla Shqipe” hapi dyert edhe në Amrisvil të kantonit të Turgau, duke ua mundësuar fëmijëve shqiptarë të këtij vendbanimi të vijojnë mësimet në gjuhën amtare. Thënia popullore “Gjuha ruhet aty ku shkruhet” po zë vend gjithnjë e më  tepër me hapjen e pikave shkollore në mbarë Zvicrën. Përkushtimi dhe angazhimi i prindërve dhe mësuesve nën drejtimin  e veprimtarëve të arsimit, siç është rasti në këtë pikë shkollore  Nexhat Hysenit (Lapsh) dhe Vaxhid Sejdiu (“Shkolla Shqipe” – Zvicër) nuk mund të kalonte pa një sukses të veçantë në këtë drejtim.

Nxënësit: Luela Shala, ⁠Ayana Kamberi, Elina Aliu, ⁠Elsa Kamberi, Leard Alili, ⁠Ayad Kamberi, ⁠Elias Aliu, Jasin Aliu, ⁠Kanita Saiti, ⁠Elsa Jusufi, ⁠Aida Jusufi, ⁠Azra Eljezi, Emin Memedi, ⁠Anisa Fejzi, Asja Eljezi, Zejnep Memedi dhe Beyan Fejziu, të cilët erdhën  në orën e parë të mësimit, ishin të gëzuar, se më në fund  filluan me mësimet në gjuhën shqipe. Të gëzuar ishin edhe prindërit, të cilët numëronin  një mori faktesh, se përse pikat shkollore duhet të jenë sa më afër fëmijëve dhe vendbanimeve të tyre. Pra, ky gëzim për hapjen e pikës shkollore ishte përhapur gjithandej  dhe pritet që në javët në vijim të kemi më shumë nxënës në këtë pikë shkollore dhe mësuesja do të fillojë punën për ndarjen e nxënësve në grupe më të përshtatshme për orët mësimore në vazhdim.

Nxënësit  e shkollës shqipe në Amrisvil, që në ditën e parë i kënduan Kosovës, ditëlindjes së saj, u njohën me gjeografinë e saj, vizatuan hartën dhe iu gëzuan faktit që edhe pse të lindur në Zvicër kanë mundësinë ta mësojnë gjuhën e nënës edhe në Zvicër.

E gjithë kjo dëshmon faktin se, aty ku punohet dhe veprohet, sukseset nuk mungojnë. Po ashtu vlen të vlerësohet përkushtimi dhe angazhimi i mësueses Valbona Alili me prindërit e kësaj ane si dhe të veprimtarëve të arsimit shqip në Zvicër Nexhat Hysenit dhe Vaxhid Sejdiut, të cilët brenda një kohe të shkurtër arritën që bashkërisht këtë pikë shkollore ta bëjnë realitet.

Mësimi në këtë pikë shkollore do të zhvillohet çdo të shtune nga ora 10:00 – 11:45, në adresën Romanshornerstrasse 248, 8580, Amriswil.

 

Ju bëjmë thirrje të gjithë prindërve të kësaj ane, sa më shpejtë që është e mundur, t`i regjistrojnë fëmijët e tyre në shollën shqipe, sepse nuk ka gjë më të bukur kur fëmijët tanë përveç se e njohin gjuhën e vendit apo edhe gjuhët tjera, njohin edhe gjuhën amtare.

Ashtu siç do të thoshte edhe poeti ynë kombëtar Ndre Mjedja në vargjet e tij antologjike për gjuhën shqipe:

“Nji kto gjuhë që jam tue ndie,

jan’ të bukra me themel

por prap’ kjo, si diell pa hije,

për mue t’tanave iu del.”

 

Për ditën e parë të shkollës dhe për nder të festës së 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës,  mësuese Valbonë Alili kishte përgatitur një dhuratë simbolike për të gjithë nxënësit.

Sektori për informim