Një urim i veçantë në 56 – vjetorin e Universitetit të Prishtinës

Shkrim nga prof. dr. Vaxhid Sejdiu

Gëzuar 56-vjetorin, Universiteti ynë i dashur!

Mirënjohje për dritën që na dhe — dhe për dritën që do të vazhdosh ta shpërndash brez pas brezi!

Sot, me ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe krenarie, i drejtohem Universitetit të Prishtinës, i cili sivjet shënon 56-vjetorin e themelimit të tij.

Si student i shkëlqyeshëm i këtij tempulli të dijes, e kujtoj me emocion moton që na udhëhiqte në çdo hap: thënien e Naim Frashëri: “Punë, punë natë e ditë / që të shohim pakëz dritë”. Ky nuk ishte vetëm një varg poetik, por një filozofi jete për ne studentët që punonim e vepronim me përkushtim të veçantë, duke besuar se dija është drita që ndriçon kombin.

Sot kujtoj me respekt të thellë profesorët e nderuar të katedrës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, të cilët me aq përkushtim na mësonin dhe na këshillonin jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në jetë. Ata mbollën në shpirtin tonë studentor atdhedashurinë për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Ishim dhe mbetemi krenarë që patëm fatin të jemi studentë të emrave më të njohur të gjuhësisë dhe letërsisë shqipe, si Rexhep Qosja, Agim Vinca, Isak Shema, Latif Berisha, Hasan Mekuli, Gani Luboteni, Fadil Sulejmani dhe shumë të tjerë, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në formimin tonë intelektual dhe kombëtar.

I themeluar më, 15 shkurt 1970 në Prishtinë, Universiteti ynë ka qenë dhe mbetet institucioni më i madh dhe më i rëndësishëm i arsimit të lartë në Kosovë, duke luajtur rol vendimtar në zhvillimin arsimor, shkencor dhe kulturor të vendit.

Urime 56-vjetori, Universitet i dashur!

Mirënjohje për dritën që na dhe — dhe për dritën që do të vazhdosh ta shpërndash brez pas brezi!