Isuf Ismaili: DISA SHKRIME DHE ANALIZA PËR GJUHËN STANDARDE SHQIPE

Akademik Emil Lafe

Akademik Emil Lafe ka shkruar:” Më 28 Nëntor 1912 delegatët shqiptarë u mblodhën rreth flamurit kombëtar dhe nënshkruan themelimin e Shqipërisë si shtet i pavarur; më 25 Nëntor 1972 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën rreth flamurit të gjuhës shqipe për të pohuar se shqiptarët, kudo që janë, kanë tashmë një gjuhë letrare të përbashkët e të njësuar, që po ecën në rrugë të mbarë, dhe me këtë akt hodhën themelet për një shtet kulturor, arsimor, shkencor të përbashkët, për të mirën e të mbarën tonë, pa i sjellë shqetësime kurrkujt.”  (Emil LAFE: VLERAT HISTORIKE TË KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT Radio Kosova e Lirë, 24.12..2022)

Prof. Mr. Eroll Sejdiu

Profesor Mr. Eroll Sejdiu: SHQIPJA STANDARDE DHE ROLI I SAJ NË BASHKIMIN KOMBËTAR

Në përkrahje të anëtarit tonë të grupit, z. Isuf Ismaili për standardin e shqipes

SHQIPJA STANDARDE DHE ROLI I SAJ NË BASHKIMIN KOMBËTAR

Kohët e fundit në të gjitha lëvizjet që synojnë bashkimin, ecjen përpara, modernizimin e marrëdhënieve çfarëdo- pa përjashtim vihet në dukje se bëhet fjalë për kombe të qytetëruara, për bashkësi kombëtare a rajonale që kanë arritur një shkallë të caktuar (që do të thotë të lartë) të qytetërimit.

Sa kohë që shqipja standarde po ushtronte ndikimin e saj të pamohueshëm për bashkimin kulturor kombëtar në kushtet e rënda të robërisë e të gjysmëlirisë, nuk ka asnjë dyshim që kjo të ketë ruajtur e të ketë ushtruar një funksion të ngjashëm brenda kohës. Në qoftë se për disa dhjetëvjetësha lufta për shqipen zhvillohej, ta themi figurativisht, në dy fronte: nga një anë në Shqipëri ajo zhvillohej në shqipen, pra brenda shqipes- do të thotë për zhvillimin dhe njësimin e saj, në anën tjetër, në Kosovë e në treva të tjera shqiptare brenda kufijve të ish-Jugosllavisë, bëhej një betejë edhe më e vështirë- beteja për gjuhën.

Standardizimi i shqipes më 1972, përbënte ngjarjen më të rëndësishme kulturore në historinë tonë kombëtare.

Kjo gjendje kulturore, por edhe gjuhësore, bëri të mundshëm një qarkullim të paparë të fjalës së shkruar dhe marrëdhënie krijuese në këtë fushë jo vetëm të shqiptarëve këtu në Ballkan, po edhe të arbëreshëve të Italisë, të shqiptarëve që po krijonin diasporën gjithandej, dhe të një numri në rritje të studiuesve të shqipes në qendra të ndryshme shkencore në Evropë dhe në Amerikë.

Do të vinim pastaj në vitet e rënda tetëdhjetë, kur shumë të rinj, sidomos nga Kosova do të detyroheshin të merrnin arratinë e të zhvillonin veprimtaritë më të ndryshme, ku shqipja standarde shërbente si mjeti më i rëndësishëm i ruajtjes së identitetit të tyre kulturor, edhe kombëtar pse jo!

Ky funksion i ri i shqipes standarde mori një shtrirje edhe më të gjerë në vitet nëntëdhjetë e në fillim të shekullit njëzet e një, kur shqiptarët gjithandej po shpërthenin kufijtë dhe mësynin ngado, dhe kur ndodhi lufta për jetë a vdekje për çlirimin e Kosovës.

Fundja, a nuk shtronte një kërkesë të këtillë edhe lufta e përgjakshme e USHTRISË ÇLIRIMTARE KOMBËTARE, që ndër synimet e tjera, kishte shtruar edhe luftën për gjuhën shqipe. Veçse jo për shqipen e Pollogut, as për të folmen e Dibrës, po pikërisht për shqipen standarde, për shqipen NJË, një e mirë e përbashkët kombëtare.

Profesor Flamur Shabani

Prof. Flamur Shabani: “Në një shkrim që më postoi një anëtar i vjetër i grupit gjuhësor “Gjuha standarde shqipe “, z. Isuf Ismaili , më vinte në dijeni se, pas shkrimit të tij për mendimet e prof. Emil Lafes, të postuar në faqen e grupit tonë, dikush që jetuaka më Amerikë, por me origjinë nga Shkodra, i është kundërvënë, duke këmbëngulur se gjuha standarde është futur dhunshëm në të folurit e shqiptarëve, sepse ajo përfaqëson vetëm dialektin toskërisht, duke lënë pas dore dialektin gegërisht, që është gjuha shqipe origjinale, e folur nga shumica e shqiptarëve, ndaj akademitë tona të shkencës si në Shqipëri, edhe në Kosovë duhet të bëjnë një referendum për gjuhën që do të përfaqësojë gjuhën shqipe. Për këtë ai gjen mbështetje te prof. Primo Shllaku nga Shqipëria dhe të prof. Migjen Kelmendit nga Kosova.”

Shkrimi i prof. Isuf Ismailit është ky:

Në Shën Mitër (para disa vitesh te vëllezrit arbëreshë)

“I dashur, Flamur uroj të jesh mirë, ta kesh mirë familjen tënde dhe të gjithë të afërmit, kudo që i ke!

Unë e kam postuar një thënie të profesor Emil Lafes :

“Akademiku Emil Lafe ka thënë për Kongresin e Drejtshkrimit, i cili u mbajt në Tiranë, më 1972:

“Mbi atë hartë politike të copëtuar të kombit shqiptar në Ballkan, u hodh një hartë e pacopëzuar – harta e gjuhës shqipe.”

Kongresi i Drejtshkrimit ishte konvergjent, pra ishte ngjarje bashkuese – forcë e përbashkuar shqiptare.

Kjo thënie na e bën të qartë qëllimin e shenjtë të përbashkësisë së trevave shqiptare si një tërësi e Shqipërisë Natyrale. “

Një kundërshtues kishte reaguar e kishte shkruar shumë negativisht. Quhet Ben Zajmi

Ben Zajmi: “Gjuha e sotme standard nuk asht aspak ma pak se nji akt I dhunshem e politikes mbi gjuhen e kulturen kombetare. Kush sundoi me gjak Shqipnine e nxuni ngushte Kosoven e trojet e tjera shqiptare, donte tē flisnim tosknisht tē gjithe sic ishin edhe dhunuesit e përcamesit e kombit shqiptar tuej krijue qytetare tē dores se pare si tosket pakice. Kongresi i drejtshkrimit ishte nji nder aktet e shumta terroriste qi psoi populli shqiptar. Politika mbi shkencen. Ket ban edhe Profesor Lafe ketu. Normalisht profesoret jane tē orjentuem ndaj shkences, por jo Partise. Prandej edhe qesha Isuf Ismaili qi more mundimin me m’kontaktue personalisht. Ju ftoj burrnisht tē mos e fshini komentin e bisedojme si njerez me argument”

Ndërsa unë shkrova kështu:

Isuf Ismaili:

Ne që postojmë shkrime dhe materiale gjuhësore nuk jemi pjesë e politikës së ditës apo asaj shtetërore. Ne jemi thjesht dashamirës të gjuhës sonë, gjuhëtarë, mësimdhënës dhe vullnetmirë, veprimtarë që angazhohemi me përkushtim për t’i ndihmuar njerëzit tanë ta përvetësojnë dhe ta zotërojnë sa më mirë gjuhën letrare shqipe, ose standarde. Këtë e bëjmë pa asnjë pagesë, por me kënaqësi të madhe kur shohim, dëgjojmë dhe lexojmë se gjuha jonë shkëlqen në mendjet dhe shpirtrat e fëmijëve dhe të njerëzve tanë të gjakut e të gjuhës.

Besojmë dhe jemi të bindur se gjuha e njësuar, standardi, është një nismë e rëndësishme për përafrimin dhe bashkimin e shqiptarëve, kudo që janë dhe kudo që kanë gjallëruar brez pas brezi. Në këtë drejtim është shprehur figurshëm akademik Emil Lafe: “Mbi atë hartë politike të copëtuar të kombit shqiptar në Ballkan, u hodh një hartë e pacopëzuar – harta e gjuhës shqipe.” Më shqip dhe më qartë nuk mund të thuhet.

Ne nuk kemi asgjë kundër dialekteve, nëndialekteve dhe të folmeve vendore apo lokale, sepse ato, në mënyrë të natyrshme, i nënshtrohen zhvillimit të përgjithshëm të gjuhës standarde. Në familjet dhe rrethet tona i përdorim edhe dialektet, por njohja dhe përdorimi i gjuhës standarde mbetet thelbësore. Dy janë të arriturat më të mëdha në planin mbarëkombëtar: Kongresi i Manastirit (1908) dhe Kongresi i Drejtshkrimit (1972). Pikësynime, qëllime të tjera gjithëkombëtare, të së drejtës sonë, na presin për t’i jetësur.

“Në gjithë rrugën që u ndoq për standardizimin e gjuhës shqipe, motivi dhe kërkesa kryesore ka qenë një standard i vetëm, sepse ky shihej si një nga faktorët më të rëndësishëm, qoftë në luftën për çlirim kombëtar, qoftë në synimin për bashkimin e shqiptarëve, të paktën në fushën e kulturës, letërsisë dhe historisë.” (Profesor Eroll Sejdiu)

Dr. Jorgji Gjinari

“Gjuha letrare kombëtare ngrihet dhe formohet mbi bazën e dialekteve, e merr lëndën gjuhësore prej tyre dhe e formon një sistem mbidialektor me normë të njëjtë për të gjithë.” ( Nga libri “Dialektologjia shqiptare” Dr. Jorgji Gjinari)

“Për t’i bërë një analizë gjuhës letrare, duke i parë pjesët përbërëse të saj, të krahasuara me dialektet, del se ajo ka një shtresë të madhe elementesh që janë të përbashkëta në të gjitha dialektet.” ( Nga libri “Dialektologjia shqiptare” Dr. Jorgji Gjinari )

“Me lindjen dhe formimin e gjuhës letrare kombëtare, dialektet paraqiten brenda gjuhës së përbashkët si mbeturina të fazave të mëparme parakombëtare të gjuhës, kurse gjuha letrare paraqitet si gjuhë mbikrahinore dhe si shkalla më e lartë e zhvillimit.” ( Nga libri “Dialektologjia shqiptare” Dr. Jorgji Gjinari)

“Gjuha letrare që ka funksion komunikimi gjithëkombëtar, ushtron ndikim me mjete të ndryshme në mjedise e shtresa të ndryshme.” ( Nga libri “Dialektologjia shqiptare” Dr. Jorgji Gjinari)

Nuk e di, si të them, por më erdhi shumë keq që ka njerëz tillë. Desha t’i përgjigjesha me ironi, por mendova se më mirë është t’i përgjigjem me argumente që e gozhdojnë. Besoj se nuk kam bërë keq.