Shkrim nga prof.dr. Vaxhid Sejdiu

Arbëreshët, kjo rrënjë  e fortë e Atdheut

Që moti kishim planifikuar t`i vizitojmë trojet arbëreshe, por në këtë fillim maji u realizua falë angazhimit të studiueses së njohur Ornela Radovicka, gazetarit të mirënjohur Rexhep Rifatit dhe kryesisë së Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Një grup veprimtarësh nga disa shtete arritëm të bëhemi bashkë dhe nën “hijen e fjamurit të arbërit” vizituam disa nga ngulmimet arbëreshe, vendbanime të cilat dëshmojnë një nga plagët më të forta të Atdheut. Në mesin tonë ishin krijues nga disa shtete të Mërgatës, anëtarë të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, veprimtarë dhe atdhedashës të botës arbëreshe nga Zvicra, Franca, Austria, Gjermania, Sllovenia, Shqipëria, Kosova, Maqedoni e Veriut etj.

Frasnitë, 3 maj 2024. Të parët arritëm, ne që ishim nga Zvicra, Austria, Sllovenia dhe Franca. Më vonë na u bashkëngjiten veprimtarët nga Gjermania, Shqipëria, Kosova dhe Maqedoni e Veriut. Një takim mbresëlënës në mes veprimtarësh. Fillimisht vizituam katundin Frasnitë dhe katundin Çifti (Civita). Katunde që shtriheshin në mes të kodrave, të cilat dukeshin se me shekuj i kanë mbrojtur vendbanimet arbëreshe.

Grupit iu bashkëngjitë edhe studiuesja Ornela Radovicka e cila  nga gëzimi i madh në mesin tonë rrezonte arbërisht. Ajo gjatë gjithë kohës shfrytëzonte çdo sekondë për të na njohur me të gjitha detajet e jetës arbëreshe duke vënë në pah rrezikun para të cilit gjendej vetë “gluha arbëreshe”. Studiuese e merituar, profesioniste dhe maksimalisht e angazhuar në prezantimin e  gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Bashkë me ne ishte edhe Michele Greco, i cili kishte ardhur nga Gjeneva në vendlindjen e tij, Çifti, sepse të nesërmen në katundin Shën Vasili zbulohej shtatorja e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Bashkë me ne ishin edhe shumë arbëreshë, të gjithë të buzëqeshur me prezencën e bashkatdhetarëve të tyre nga mërgata shqiptare. Në çdo hap një shenjë, një gur, një fjalë arbërisht, një bust, një mbishkrim, flamuj kombëtar, të cilët përbënin mozaikun e bukur dhe të shenjtë arbëror. Edhe pse gjuha arbëreshe në këtë pjesë të Kalabrisë është pranë një rreziku serioz, kureshtjen e shuanin ata, të cilët iu përgjigjeshin kërkesave tona edhe në arbërisht, kudo qoftë në rrugë, në restorante, në muze, në shitoret e pakta apo në takime me qytetarë të kësaj ane. Shën Vasili, Frasnita, Çifti, Ungra dhe shumë fshatra për rreth kishin festë, i gëzoheshin ditës së re.

Më, 4 maj 2024, në qendër të Shën Vasilit kishin ardhur qindra pjesëmarrës me qëllim që të jenë të pranishëm në zbulimin e shtatores së kryetrimit Skënderbeut. Arbëreshë të ardhur jo vetëm nga Shën Vasili, por edhe nga katundet tjera arbëreshe, mërgimtarë nga shumë shtete të Evropës dhe bashkatdhetarë  nga pjesët e Atdheut dhe në mesin e tyre edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj, përfaqësues të Institucioneve të Republikës së Kosovës… Të gjithë nën hijen e flamurit kombëtar i gëzoheshin këtij çasti për t`i dhënë një frymëmarrje të re jetës arbëreshe në këtë pjesë të Kalabrisë. Gjatë qëndrimit tonë arritëm t`i vizitojmë disa prej katundeve arbëreshe, kudo binin në sy shenjat kombëtare, busti i Skënderbeut, i cili ishte pothuajse në çdo fshat, shtatorja e heroit kombëtar, mbishkrime në gjuhën arbëreshe emrat e shkrimtarëve dhe veprimtarëve arbëreshë, të cilët u munduan gjeneratë pas gjenerate të ruajnë “gjakun e arbrit” përballë kohës. Shtatorja e Skënderbeut, pamja e tij e mprehtë i dha një frymëmarrje të re këtyre katundeve, të cilat siç shihet edhe nga shenjat, duket qartë se emri dhe vepra e Skënderbeut i ka mbajtur me shekuj gjallë. Po ky emër i ka bashkuar rreth “gluhës së arbërit”. Thirrja  e tyre “Mos harromi gluhën tonë “ është një thirrje që del nga shpirti i tyre atdhetarë, sepse ata duke u vënë me gjithë shpirt në shërbim të gjuhës kanë prekur nervin kryesor të kombit, të vetëdijshëm se me humbjen e gjuhës mund të humbin edhe ata, si arbëror. Prandaj kjo thirrje vlen për të gjithë shqiptarët, kudo ku ndodhen në botë. Ata që harrojnë gjuhën amtare humbin një pjesë të madhe, jo vetëm të atdheut, por edhe të shpirtit shqiptar. Aktiviteti në shenjë të zbulimit të shtatores së Skënderbeut u shoqërua me prezencën e fëmijëve të veshur kuq e zi, të grupeve të valleve të cilat rrezatonin me veshjet karakteristike të katundeve arbëreshe, me këngë dhe valle Elbasani etj. Dhe në mbrëmje u mbyll me koncertin e organizuar për këtë rast, ku grupe të valleve, dhe ato muzikore prezantuan para qindra e qindra pjesëmarrësve një program të pasur kulturor.

 

Më, 5 maj 2024, dita e tretë në katundet arbërore, ishte planifikuar për t`i vizituar fshatrat arbëreshe, në rend të parë, vendlindjet e poetëve rilindës si Jeronim de Rada, Zef Serembe etj. Vizituam Makin, Strigarin, Kolegjin e Shën Adrianit, ku De Rada ka qenë mësues, kurse Serembe nxënësi i tij. Takuam qytetarë të rrallë në këto vendbanime dhe vizitorë, të cilët kishin ardhur në këto ditë festive për ditëlindjen e Heroit Kombëtar në këto treva.

Grupit iu bashkëngjitë edhe studiuesja Ornela Radovicka e cila  nga gëzimi i madh në mesin tonë rrezonte arbërisht. Ajo gjatë gjithë kohës shfrytëzonte çdo sekondë për të na njohur me të gjitha detajet e jetës arbëreshe duke vënë në pah rrezikun para të cilit gjendej vetë “gluha arbëreshe”. Studiuese e merituar, profesioniste dhe maksimalisht e angazhuar në prezantimin e  gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Bashkë me ne ishte edhe Michele Greco, i cili kishte ardhur nga Gjeneva në vendlindjen e tij, Çifti, sepse të nesërmen në katundin Shën Vasili zbulohej shtatorja e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Bashkë me ne ishin edhe shumë arbëreshë, të gjithë të buzëqeshur me prezencën e bashkatdhetarëve të tyre nga mërgata shqiptare. Në çdo hap një shenjë, një gur, një fjalë arbërisht, një bust, një mbishkrim, flamuj kombëtar, të cilët përbënin mozaikun e bukur dhe të shenjtë arbëror. Edhe pse gjuha arbëreshe në këtë pjesë të Kalabrisë është pranë një rreziku serioz, kureshtjen e shuanin ata, të cilët iu përgjigjeshin kërkesave tona edhe në arbërisht, kudo qoftë në rrugë, në restorante, në muze, në shitoret e pakta apo në takime me qytetarë të kësaj ane. Shën Vasili, Frasnita, Çifti, Ungra dhe shumë fshatra për rreth kishin festë, i gëzoheshin ditës së re.

Më, 6 maj 2024, ishte ditë kryesore, e cila ishte pagëzuar “Pranvera arbëreshe”. Krijues nga shumë shtete të Evropës dhe nga trojet shqiptare, kishin ardhur për të marrë pjesë në orën letrare, kushtuar Heroit Kombëtar. Më se 30 krijues morën pjesë fillimisht në takimin e organizuar së bashku me Qendrën albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe dhe Bibliotekën e Antonio Bellushit në Frasnitë. Fillimisht ata morën pjesë në takimin me At Antonio Belushin, të cilin e përgëzuan për përkushtimin e tij jetësor në shërbim të gjuhës dhen kulturës kombëtare në përgjithësi, si dhe në shërbim të gjuhës dhe kulturës arbëreshe në veçanti. Në takim morën pjesë kryesia e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, Musa Jupolli, Mentor Thaqi, Hazir Mehmeti, Shqipe Bytyqi si dhe më se 30 krijues nga mërgata shqiptare. Në mesin e tyre edhe gazetari i mirënjohur Rexhep Rifati, Koordinatori i shkollave shqipe në Zvicër, Vaxhid Sejdiu si dhe adhurues të kulturës arbëreshe. Në këtë takim para pjesëmarrësve studiuesja Ornela Radovicka i njoftoi pjesëmarrësit me historikun e Qendrës Albanologjike mbi kulturën arbëreshe, kurse disa prej krijuesve lexuan krijimet e tyre letrare.

 

Më, 7 maj 2024, ishte dita e pestë qëndrimit tonë në katundet arbëreshe, të cilin e shfrytëzuam vizitën në një shkollë fillore, ku krijuesit dhuruan bibliotekës së shkollës librat  e tyre. Një takim me mësues arbëresh dhe jo vetëm, një këmbim përvojash në fushën  e pedagogjisë dhe një konsultim shumë i nevojshëm i këmbimit të përvojave në ruajtjen e gjuhës arbëreshe në këto katunde, si dhe i përvojës së mësuesve në vendet e mërgimit ku jetojnë dhe veprojnë si në Zvicër, Gjermani, Austri, Francë etj.  Një takim i ngrohtë me mësuesit arbëreshë, një shqetësim i përbashkët rreth gjuhës amtare dhe natyrisht një përgjegjësi e përbashkët për të gjithë ne pavarësisht vendin se ku jetojnë me qëllim që të veprojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare të fëmijët shqiptarë.

Edhe kjo pamje e bukur flet qartë se “gjaku i Arbërit rron”.