Gjuha shqipe e dritëson shqiptarësinë tonë

(Në Uster të Zvicrës u mbajt një veprimtari sa kaulturore aq edhe atdhetare.

Veprimtaria u quajt “ADN SHQIPTARE”)

Para dy ditësh në Uster të Cyrihut, në Zvicër u bë një veprimtari kulturore e shoqërore nga disa shoqatat “Bashkimi” në Uster, nga shoqata “Atdheu” e qytetit Thun dhe nga “SHKOLLA SHQIPE” në Zvicër. Kjo veprimtari qe shumë mbresëlënëse e cila hedh dritë, sidomos te gjeneratat e reja.

Në këtë veprimtari na nderoi gazetari, tanimë i njohur e atdhedashës, veprimtar i shquar i çështjes shqiptare, Marin Mema i cili me përkushtim të jashtëzakonshëm vepron dhe evidenton ngjarje e hulumton pjesë të harruara e të dhembshme shqiptare, në Çamëri, në Pazar të Ri, në Ohër e në trevat shqiptare, ku shpata e sundimeve e pushtimeve, shtypja e dhuna dhe tmerri grek e sllav pamëshirshëm e kanë goditur qenien shqiptare, shumë herë duke e shfrytëzuar fenë ortodokse e fenë myslimane për t’i asimiluar shqiptarët, për t’ua shuar shpirtin, gjuhën dhe kulturën, krahas vrasjeve, dhunës së tmerrshme barbare, duke shuar shumë jetëra shqiptarësh e duke i përzënë nga trojet e etërve tanë.

Gazetari atdhedashës Marin Mema me një përkushtim të pashoq dhe emocione të fuqishme rrëfente ngjarje e dukuri  në Çamëri, për atë dhembje të madhe dhe për atë dashurinë çame, por për të vërtetën e dhembshme, po që nga popullsia çame nën sundimin grek, nuk e pohohet dot nga frika e shtetit, nacionalizmit antishqiptar në Greqi. Ai gjithashtu, tregonte për ngjarje të tjera në Pazarin e Ri, një vendbanim shqiptar nën Serbinë, ku popullsinë e atjeshme e ka shtypur me dhunë të paparë Serbia me policinë e ushtrinë saj. Atje kanë arritur ta t’i bëjnë njerëzit që ta zbehin dukshëm të shprehurit në gjuhën shqipe, por jo shpirtin e gjakun e atdhedashësve shqiptarë në atë trevë.

Ai tregon një moment, kur një plakë e pyet se çfarë e ndiente ajo vetën., ndërsa ajo i përgjigjet:

  • Eja brenda, mor bir se na shqiptarë jena.

Marin Mema, ndër të tjera tha: “Ta druani, ta mbroni e përvetësoni sa më mirë gjuhën shqipe, mos ta harroni të dashur nxënës e të rinj! Nëse e humbim gjuhën shqipe e kemi humbur çdo betejë.”

Për gazetarin atdhetar e të mrekullueshëm Marin Mema mund të shkruajmë shumë, por në shkrime të tilla duhet të kufizohemi me përshkrimin e rrjedhës së veprimtarisë.

Në këtë veprimtari kulturore sa atdhetare aq edhe shoqërore na nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë, në Zvicër, zoti Ermal Dredha, i cili e mori fjalën duke theksuar rëndësinë e madhe që ka zhvillimi i veprimtarive të tilla, për ta mbajtur e forcuar qenësinë tonë shqiptare, për të qenë ngaherë shqiptarë e njerëz të mirë, për të krijuar lidhje sa më të mira me trevat shqiptare. Ai ndër të tjera foli për gazetarin atdhetar Marin Mema, për vlerat e veprimtarisë së tij, për prindërit e tij që kanë punuar e vepruar, prore, në shërbim të çështjes shqiptare.

Ai tha se zemra i bëhej mal që sheh të rinj, të cilët përparojnë dhe kontribuojnë për shqiptarinë tonë.

Ai tha : ” Mos e harroni kurrë identitetin shqiptar, sepse është një pasuri e çmuar! Ta ruani atë me krenari, ta zhvilloni e të punoni fort për të! Të vazhdojmë të punojmë së bashku që gjuha shqipe të flitet në çdo shtëpi, që traditat tona të mos humbasin dhe kultura jonë të jetë një dritë që na bashkon! Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Ambasada e Republikës së Kosovës dhe institucionet tona jemi të gjithë bashkë të mbështesim çdo lloj nisme që ka të bëj me ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ne jemi të gëzuar edhe për marrëveshjen që e kemi bërë me ” Shkollën Shqipe”, këtu në Zvicër. Besoj se do të ecim përpara dhe të lëmë mënjanë çdo lloj mosmarrëveshje individuale, që e cenon atë që po e bëjmë, synojmë e përpiqemi ta bëjmë edhe në të ardhmen. Ta mbajmë fortë gjuhën tonë, kulturën tonë, traditën tonë, historinë tonë. Po mbyll këtu, duke ju thënë me përulje: faleminderit, të gjithë juve prindër e mësues shqiptarë që vazhdoni të ndriçoni rrugën që na bashkon të gjithëve, rrugën e gjuhës shqipe, historisë dhe krenarisë shqiptare. ”

Fjala e ambasadorit, u prit me një gëzim të madh e me duartrokitje të forta si një nga shprehjet më të mira për fjalët e tij të ngrohta dhe për pranimin e tij si vëlla e ambasador nga të gjithë shqiptarët e të gjitha viseve shqiptare.

Në këtë veprimtari të madhe u shfaqën nxënësit e mrekullueshëm të mësimdhënësve të shquar Vaxhid e Qefsere Sejdiu, të cilët kishin përgatitur një përmbledhje artistike një hapësirë ku fjala e bukur merr peshë të veçantë dhe ku ndjenja kombëtare shprehet me finesë, me emocion dhe me forcë shpirtërore.

Nga pjesëtarët e këngëtarëve dhe valltarëve të shoqatës “Atdheu” u paraqit “Vallja e Librzhdit”, ndërsa nga pjesëtarët e grupit muzikor të shoqatës “Bashkimi u hodh vallja me motive nga Çamëria me karakteristika të malësisë labe : “Zoga kaçake”

Pas përfundimit të aktiviteteve u bënë takime u bënë kuvendime me miq, shokë e dashamirë, u  caktuan data takimesh e marrëveshjesh për veprimtari të tjera që shkojnë drejt përcaktimeve tona duke e mbajtur gjallë e të fortë përkatësinë tonë dhe gjuhën e kulturën shqiptare.

Ajo që na la mbresa të mëdha është mirënjohja për mësimdhënësit atdhetarë e të përkushtuar, për sukseset e shkëlqyera të nxënësve dhe angazhimet tepër dashamirëse të prindërve atdhedashës.

Aty u theksua edhe një herë që gjuha është dritë që na shkëlqen udhën e ardhmërisë e të shqiptarisë sonë, ndaj iu bëhet ftesë nga zemra bashkatdhetarëve t’i dërgojnë fëmijët në shkollat shqipe, Këtu në Zvicër.

Naimi ynë i madh, Naim Shqipëria ka thënë:

 

“ … dhe dritë e diturisë.

Përpara do të na shpjerë “

 

“Ti Shqipëri më jep nder,

Më jep emrin shqipëtar”