Rikthehet arsimi shqip në Rapperswil-Jona – vatër e gjallë e gjuhës dhe kulturës kombëtare
Pas një ndërprerjeje disavjeçare, mësimi plotësues në gjuhën shqipe ka rifilluar me sukses në qytetin Rapperswil-Jona, duke rikthyer një vatër të rëndësishme të dijes dhe identitetit kombëtar për fëmijët shqiptarë që jetojnë në këtë pjesë të kantonit të St. Gallenit.
Në këtë shkollë, ku aktualisht vijojnë mësimet 20 nxënës e nxënëse, procesi mësimor zhvillohet me përkushtim nga mësuesi Vaxhid Sejdiu, i cili, me përvojën dhe angazhimin e tij, po kontribuon në ringjalljen e arsimit shqip në këtë zonë.
Atmosfera në klasë është e ngrohtë dhe frymëzuese. Në një nga orët mësimore, në përfundim të mësimit, nxënësit zbukuruan ambientin e klasës me një fotografi të përbashkët, duke shprehur gëzimin dhe krenarinë për përkatësinë e tyre. Po ashtu, nxënësi Lorik Hoxhaj interpretoi një melodi instrumentale me çifteli, duke sjellë tingujt e traditës shqiptare në mesin e bashkëmoshatarëve të tij.
Shkolla shqipe në Rapperswil-Jona ka qenë dhe mbetet një vatër e dijes, kulturës dhe edukimit kombëtar. Në orët mësimore të gjuhës shqipe, përveç mësimit të shkrim-leximit, zhvillohen edhe një mori aktivitetesh kulturore dhe edukative. Fëmijët marrin këshilla të vyera nga mësuesi për një integrim të suksesshëm në shoqërinë zvicerane, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe gjuhën amtare.
Në këto orë, nxënësit mësojnë jo vetëm shkronjat dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe, por edhe njohuri për gjeografinë dhe historinë shqiptare, për kulturën dhe traditat tona kombëtare. Qëllimi kryesor mbetet ruajtja dhe përcjellja e trashëgimisë kulturore shqiptare tek brezat e rinj në diasporë.
Në këtë klasë aktive dhe të përkushtuar bëjnë pjesë nxënësit: Janina, Ledioni, Loriku, Rajana, Muhamedi, Noari, Laurina, Briana, Megzoni, Ajla, Aureli, Aniku, Joni, Atdheu, Leoni, Valoni, Loresa, Lorena, Lorisi dhe Oaza, të cilët me përkushtimin dhe pjesëmarrjen e tyre po e mbajnë gjallë frymën e shkollës shqipe. Ata, nëpërmjet kësaj fotografie, përcjellin lajmin për funksionimin e shkollës shqipe në Zvicër, duke u bërë thirrje bashkëmoshatarëve t’u bashkohen me mesazhin: të ruajmë gjuhën tonë, të mësojmë gjuhën shqipe, sepse ajo është pasuri kombëtare. Mësimi zhvillohet çdo të mërkurë nga ora 13:15 deri në 15:00.
Rifillimi i mësimit shqip në Rapperswil-Jona është një dëshmi e qartë se gjuha dhe kultura shqiptare vazhdojnë të jetojnë dhe të zhvillohen edhe larg atdheut, falë përkushtimit të mësuesve, nxënësve dhe komunitetit shqiptar në Zvicër. Një falënderim i veçantë shkon për prindërit pa dallim, të cilët, falë angazhimit të tyre, arritën që dyert e shkollës shqipe të hapen me sukses.










