A ka lajm më të gëzuar se ky! Të mërkurën u hap edhe një klasë, në shkollën e vendbanimit Rorschacherberg (Rorshaherberg) në Zvicër, ku do të mësohet gjuha dhe kultura shqiptare. Kjo është shkolla e 50 – të me radhë, e cila është hapur kohëve të fundit.
Nga Isuf Ismaili
Ka një kohë të gjatë, pothuajse pandërprerë, pra gjithnjë e më shumë, po hapen dyert e klasave të shumta në shkollat zvicerane që nxënësit shqiptarë të mësojnë gjuhën e kulturën shqiptare.
Kjo klasë u hap pas përpjekjeve e veprimtarive të shumta që i ka bërë e është duke i bërë në mënyrë të vazhdueshme me një përkushtim të pashoq profesor dr. Vaxhid Sejdiu – koordinator i “Shkollës Shqipe” së bashku me autoritetet e arsimit dhe edukimit në Zvicër.
Rorschacherberg është në kantonin St. Gallen. Pikërisht, aty u hap shkolla e pesëdhjetë (50 – të) në gjuhën shqipe, në kuadër të “Shkollës Shqipe në Zvicër”
Mësimin e zhvillon mësuesja Artiola Morina me një përkushtim e vullnet të madh.
Të mërguarit, bashkatdhetarët tanë shqiptarë në Zvicër, janë nga trevat e ndryshme shqiptare, por që kanë halle e probleme të përbashkëta e megjithëkëtë, ata i mbanë gjallë si shqiptarë gjuha e kultura shqiptare. Por, vazhdimësia e qenësisë shqiptare lidhet ngushtë me mësimin e gjuhës shqipe e kultivimin e traditave e vetive më të mira shqiptare me vazhdimësinë e vullnetit për të mbajtur të gjallë kulturën shqiptare në shpirtin e zemrat e tyre. Por, që të jemi kurdoherë të sigurt për këtë, duhet të jemi të vetëdijshëm se askush më mirë nuk mund ta bëjë këtë, se vazhdimësia e mirëmbajtja e shkollave shqipe, duke mësuar: gjuhën e letërsinë shqipe, historinë, gjeografinë e kulturën e përgjithshme.
Vazhdimësia, mirëmbajtja e mbështetja e shkollave shqipe në diasporë është një detyrim moral për çdo shqiptar, është një nga veprimtaritë e mëdha atdhetare.
Gjuha shqipe është pasaporta më e mirë për qenësinë shqiptare dhe njëkohësisht për diasporën siguria më e madhe për të mos u tretur në botën e madhe, ku të gjithë ata që e flenë mendjen e nuk organizohen shkojnë drejt gjumit vrastar të qenësisë së tyre. Prandaj, puna e veprimtaria e profesor dr. Vaxhid Sejdiut, bashkë me mësimdhënësit të tjerë shqiptarë është edhe një mision i lartë atdhetar.
Vlen të përmendet se mësimi zhvillohet çdo të mërkurë, nga ora 16:00-18:00 dhe të gjithë të interesuarit mund të paraqiten në këtë adresë kontaktuese:
Dr. Vaxhid Sejdiu,
Tel. 076 321 26 94,
E-Mail: vaxhid_sejdiu@hotmail.com
“Shkolla Shqipe – Zvicër”