…Si rrezet e diellit që shkëlqejnë natyrën, ashtu ndriçuan klasën e shkollës shqipe, nxënësit të cilët u regjistruan për herë të parë në klasën e mësuesve Qefsere dhe Vaxhid Sejdiut

Njëzet e një (21) nxënës, u regjistruan për një ditë, për një orë, më 22 gusht 2020, në shkollën Shqipe të Spreitenbach-ut, duke iu bashkuar edhe nxënësve të tjerë, të cilët me vite i ndjekin mësimet në gjuhën amtare. Në këtë klasë punojnë mësuesit Qefsere dhe Vaxhid Sejdiu. Ata kanë paralel dy klasë, dhe siç më thanë së shpejti do t`i ndajnë nxënësit në katër grupe, me qëllim, që cilësia e mësimit të jetë më e lartë. Nxënësit e klasës së parë dhe të dytë në grupin e parë, ata të tretës dhe katrës në grupin e dytë, në grupin e tretë, ata të pestës dhe të gjashtës dhe grupi i katërt, të shtatës dhe të tetës.

Edhe pse sivjet nuk shkova në vendlindje, për një çast më dukej vetja se jam atje.  Më dukej se ndriçonte çdo gjë, bankat, dritaret, muret e klasës, sepse librat e gjuhës shqipe, në duart e nxënësve i kishin dhënë një pamje tjetër klasës. Buzëqeshjet e fëmijëve ndriçonin klasën e shkollës shqipe në Spreitenbach. Në sytë e fëmijëve, që përcillnin me një dashuri të veçantë fjalët e mësueseve të tyre, dëshmonin një dashuri për librin, për gjuhën shqipe.  Po sa merrnin abetaren në dorë sytë iu shkëlqenin, një gëzim që shihej nga larg. Dhe mua, që i shikoja nga këndi i klasës më jepnin forcë, dhe me gjithë shpirt thashë, deri sa të ketë mësues të përkushtuar “ gjuha shqipe rron”.

Dhe sot, Anesit, Sarës, Trimit, Diartit, Ismës, Ajlës, Ritës, Eduanit, Medinës, Erinës, Rinës, Syartit, Erblinës, Jonit, Diarës, Mimozës, Bashkimit, Argjentës, Erës, Ajlës dhe Zejdiut, si dhe nxënësve të tjerë Almirit, Anisës, Altinit, Lisanës, Anilës, Enisit, Arditës, Linës, Adnit, Leonës, Ilirjanit, Lionit… ju dëshirojmë shumë suksese në orët e gjuhës shqipe.

Shkruan: Isuf Bytyçi