Isuf Ismaili: Një melodi e ëmbël e shqiptarësisë sonë në Lugano të Zvicrës

 

(Manifestim kulturor e artistik nga vatra “Shkolla Shqipe” Ticino,  për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit – Ditën e Shkollës Shqipe dhe 8 Marsin –  Ditën e Gruas, Lugano më, 3 mars 2024)

Zvicra është një nga vendet, ku një pjesë e madhe e shqiptarëve që herët kanë emigruar për një jetë më të mirë, por disa kanë ardhur edhe si emigrantë politikë.

Në Zvicër më së shumti ka  shqiptarë nga Kosova dhe pjesët të tjera shqiptare nën Maqedoninë, nën Serbinë, si nga:  Presheva, Bujanci e Medvegja. Ndërsa pak shqiptarë nga trevat tona nën Malin e Zi, kanë ardhur në Zvicër. Megjithëkëtë, kohët fundit, prej disa vitesh, kanë ardhur shumë shqiptarë nga Republika e Shqipërisë, sidomos ata që kishin ikur herët nga  vitet 90 – ta në  Itali dhe Greqi.

Në Zvicër nuk ka asnjë qytet, ku të mos ketë shqiptarë. Kështu mund të themi se janë vetëm pak fshatra të këtij vendi, ku nuk janë vendosur e shtrirë shqiptarët.

Edhe diaspora shqiptare ka shkuar drejt zhvillimeve së bashku me trojet shqiptare dhe padyshim të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në këto trevat tona, janë reflektuar edhe te shqiptarët jashtë Atdheut. Diaspora të themi edhe këtë, ka qenë shumë herë edhe buka edhe ndihmesa më e madhe e të gjitha trevave shqiptare.

Shumë shqiptarë si në të kaluarën, po edhe tani, organizohen të mbajnë gjallë shpirtin e shqiptarësisë, duke organizuar mësimin e gjuhës sonë në shkolla dhe duke mbajtur manifestime, mbledhje e tubime kulturore, artistike e shoqërore, duke kujtuar ngjarje historike, akte trimërie e heroizmi  e natyrshëm duke i ruajtur edhe e vetitë më të mira shqiptare.

Në këtë frymë e në këtë drejtim u mbajte edhe një tubim i shqiptarëve në Lugano të Zvicrës.

Ka disa vite që shumë aktivitete kulturore e artistike e shoqërore, arsimore nga shqiptarët në kantonin Ticino janë mbajtur shumë  rrallë, madje edhe me shumë vështirësi.

Megjithëkëtë, mësueset e nderuara: Mimoza Qarreti Elshani dhe Egzona Imeri në kantonin Ticino kishin organizuar nxënësit e tyre në një nivel të lartë e të lavdëruar për të shënuar dy feta: Festën e 7 Marsit – Ditën e Mësuesit –  Ditën Shkollës Shqipe, por 8 Marsin – Ditën e Gruas.

Atë ditë me profesor Vaxhidin, koordinator i “Shkollës Shqipe” në Zvicër, u nisëm të gëzuar, se rrallë herë na ka rastisur të shkojmë në kantonin Ticino, por atë ditë ndjeheshim mbi të gjitha të gëzuar për faktin se  bilbilat e gjuhës shqipe do të këndonin, do të reciton, do të vallëzonin, do të thoshin se janë një zë i pashuar i shqiptarësisë sonë.

Nuk ka gjë më të bukur e më të dashur, më të ëmbël për ne, se  kur në sytë, në zërin e në shpirtin e fëmijëve e lexojmë, e ndjejmë vazhdimësinë e gjuhës, të melodisë e të qenësisë shqiptare, të dashurisë për tërësinë e trevave të gjuhës shqipe, pra të të gjithë Shqipërisë sonë, pavarësisht vendeve ku janë shtrirë shqiptarët.

Kur gjuha shqipe e kultura e shëndoshë  e mëkon shpirtin e fëmijëve tanë, ka shpresa të mëdha se nuk shuhemi, nuk tretemi, ka shpresa se në të ardhmen edhe jetësia e shqiptarësisë sonë do të jetë fortë, do të jetë Shqipëria jonë një e bashkuar dhe e përjetshme.

Para disa ditësh gjuhëtarja jonë e nderuar profesore Shefkije Islamaj, nga Prishtina, në një intervistë të dhënë në Tiranë, ndër të tjera tha: “ Kush e mbron gjuhën shqipe e do edhe Atdheun.”

Kjo është edhe udha e vatrës sonë “ Shkolla Shqipe” në Zvicër, të cilën e ka udhëhequr e po e udhëheq koordinatori ynë i nderuar profesor Dr. Vaxhid Sejdiu, i cili me përkushtim përpiqet që edhe imtësitë, gati të padukshme për shumë kë, do që të jenë në rregull.

Kështu edhe atë ditë ndjeheshim plot hare se organizimi i atyre festave po shkonte mbarë e në atë drejtim që u cek më sipër.

Në Lugano na pritën mësuesja e nderuar Mimoza, veprimtarë e atdhedashës të denjë siç qe: Sylë Muja, emigrant politik, poet e shok i mirë, por edhe miq e dashamirë të tjerë. Pasi pimë kafe në një restorant në Lugano, u nisëm  për në vendin Morcote, për të nderuar jetën e veprën e aktorit të shquar shqiptar Aleksandër Mojsiu, atje ku është i varrosur, ky aktor që i ka tundur skenat e teatrove në disa vende të Europës.

Një fjalë rasti e mbajti profesor Vaxhidi, i cili ndër të tjera theksoi se Aleksandër Mojsiu është aktor i madh shqiptar, por edhe botëror i cili shumë herë i ka bashkuar veprimtarët shqiptarë në raste përkujtimesh, na bashkoi edhe ne sot, por ai e ka bashkuar edhe frymëmarrjen kulturore në mbarë botën.

Ai natyrshëm ka qenë zëri i një aktori shqiptar në botë,  i lindur në Kavajë, i cili fëmijërinë e kaloi në Durrës, por mbi të gjitha ai e pohoi me krenari përkatësinë e tij shqiptare në të gjitha metropolet botërore.

Fjalën e morën edhe veprimtari e poeti Sylë Muja, i cili e lexoi një poezi dhe kishte përgatitur edhe një portret të Aleksandër Mojsiut, po ashtu një fjalë rasti e mbajti edhe mësimdhënëse Mimoza, e më pas edhe bashkatdhetari ynë Leonard Simaku.

Më pas u nisëm në drejtim të Luganos, ku na prisnin nxënësit dhe bashkatdhetarët tanë, në sallën ku u mbajt manifestimi kulturor e artistike.

Fytyrat e njerëzve dukeshin të hareshme, nxënësit me mësimdhënësit e bashkatdhetarët të tjerë po i bënin përgatitjet e fundit. Aty ndodhej edhe shoqata kulturore e  artistike “Sharri” nga St. Gallen.

Një bashkatdhetar na tha tepër i gëzuar: –  Ju falënderojmë shumë, se qysh moti nuk kemi organizuar takime, tubime e manifestime të tilla.

Festa filloi, fjalën e mori mësuese Mimoza e cila na përshëndeti. Mësuese Mimoza dhe bashkatdhetari ynë nga Kavaja Leonard Simaku e prezantuan programin.

Në sallën e madhe fëmijët intonuan himnin kombëtar. Himnin e përcollën me tingujt e violinave violinisti, profesor muzike Leonard Simaku dhe Leon Bekaj, nxënës në Pre-kolegjin ne kuadër te Konservatorit ne Lugano.

Gjithashtu, tubimin e përshëndeti edhe profesor Vaxhidi, i cili tha se si zakonisht festat na bashkojnë, na ndihmojnë ta kthejmë kujtesën aty ku duhet – te gjuha dhe kultura shqiptare. Ne jetojmë në mërgim, por jemi shumë të motivuar, ta ruajmë gjuhën. Gjuha jonë dhe kultura shqiptare janë identiteti ynë, janë ADN – ja shqiptare. Ai i porositi të gjithë ta ruajmë gjuhën shqipe, t’ ua mësojmë mirë fëmijëve këtë gjuhë, sepse emrat e tyre që tingëllojnë kaq bukur shqip, nuk kanë kuptim, në qoftë se nuk e mësojmë mirë gjuhën shqipe e aq më keq nëse nuk e mësohet  fare gjuha jonë në shkolla. Ai i përgëzoi edhe mësimdhënëset e nderuara Mimozën dhe Egzonin për punën e veprimtarinë në shkollë e në aktivitete kulturore.

Profesor Vaxhidi theksoi se “Shkolla Shqipe” ka hapur dyert dhjetëra e dhjetëra shkollave në Zvicër për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Në skenë u paraqitën nxënësit, të cilët recituan e kënduan, hodhën valle e na jepnin gëzim e hare.

Kjo është edhe një nga shenjat më të mira, një nga veprimtaritë e shkëlqyera që ditën kaq bukur ta organizojnë mësimdhënëset e Mimoza e  Egzona. Mimoza është mësimdhënëse në Lugano, ndërsa Egzona në Roveredo.

Para publikut dolën edhe pjesëtarët e shoqatës “Sharri” me në krye koreografin Kreshnik Sadikaj.

Me shumë përkushtim e aftësi të shkëlqyera luajtën shumë valle të bukura e kënduan këngë shqiptare pothuajse nga të gjitha trevat shqiptare që nga jugu e deri në veri.

Tek shikonim fëmijët e vegjël me kostumet e bukura që hidhnin valle, kur me aq dashuri e krenari i bënin lëvizjet sipas melodisë, ne shikonim të ardhmen. Na kënaqej syri e na gëzonte zemra, por ne duhet ta mbajmë të ndezur zjarrin e shqiptarësisë sonë që edhe fëmijët tanë edhe nipërit e mbesat tona të dinë jo vetëm të mos e shuajnë këtë zjarr, por edhe të kenë dëshirën pse jo një ditë të bukur të kthehen në Atdhe, të dinë të veprojnë që Atdheun ta zhvillojnë e ta bëjnë sa më të begatë.

Por, ne kërkojmë, gjithashtu, edhe ndihmën e institucioneve tona shqiptare, që të na ndihmojnë e ta jetësojmë, ngaherë, këtë mision të shenjtë, të arsimit e kulturës shqiptare. meqë, po ta kemi parasysh faktin që në Zvicër u hapën dhjetëra e dhjetëra shkolla, nga vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe”,  në të cilat punohet me shumë përkushtim, duhet megjithëkëtë  të themi se shqiptarët në Zvicër e në Europë, përgjithësisht, duhet t’i motivojnë mësuesit dhe fëmijët e tyre t’i dërgojnë sa më shumë në shkollat shqipe, sepse me numrin kaq të madh të shqiptarëve në mërgatë duhen edhe qindra e mijëra shkolla të tjera të hapen. Shqiptarët nuk duhet t’ i zërë gjumi i dembelizmit, i harresës, por duhet ta mbajnë ngrohtë gjakun dhe gjuhën e të parëve.