VARIANTIZIMI I QËLLIMSHËM I STANDARDIT TË SHQIPES

Në disa masmedie në gjuhën e folur dhe në gjuhën e shkruar, si shprehje e fjalës së lirë dhe si shprehje e lirisë së keqkuptuar se mund të bësh çfarë të duash edhe me gjuhën standarde, pa qenë gjuhëtar ose filolog fare, ka zënë e po përdoret njëfarë variantizimi i qëllimshëm i standardit të shqipes me forma të përçudnuara të gegërishtes, gjoja për të “riparuar” padrejtësitë që i qenkan bërë këtij dialekti, e që në thelb nuk është as gegërishte as gjuhë standarde. Në gjuhë ka të ashtuquajtura fjalë OKAZIONALE, që përdor dikush sipas dëshirës së vet, sidomos gazetarët e publicistët. Dhe kjo gjuhë apo krijimet e tilla njihen me termin “substandarde” (nënstandarde). Duhet thënë se standardi gjuhësor nuk është diçka hyjnor, por është diçka që krijohet dhe pastaj kultivohet e orientohet: si i tillë ai duhet të mësohet në mënyrë të posaçme, sepse askush nuk lind me GJUHËN STANDARDE, sikurse me të folurit e përditshëm. Synimi për shembjen e themeleve të gjuhës standarde ngjan me atë krahasimin e Dubrovnikut me Hitlerin, ku qyteti me bukurinë e veçantinë arkitekturale, i vënë në mbrojtjen e UNESKO-s, proklamohej nga Shoqata e Shkrimtarëve të mjerë serbë se nuk duhej të mbrohej nga bombardimet e hordhive serbe, sepse aty na qenka strehuar Hitleri! Tashmë edhe albanologët tanë dhe të huaj e thonë me kompetencë e me drejtësi se baza e gjuhës standarde shqipe nuk duhet të preket, sepse “do të vihej në gjendje si te gjuhët sllave, ku secili grup pretendon të jetë gjuhë më vete, dhe kjo popullit shqiptar, i cili ka një prejardhje, një kulturë, nuk i duhet”. Kthimi prapa do të ishte humbje fatale. Urojmë që GJUHA SHQIPE të mos e ketë një fat të tillë, sepse shumë variante letrare do të thotë kurrfarë standardi gjuhësor. GJUHA SHQIPE është e vogël të katandiset në dy a tri standarde gjuhësore. Tri shqipe letrare: gegërishte letrare, toskërishte letrare dhe arbërishte letrare, do të thotë ASNJË ASNJË SHQIPE STANDARDE.