Shkolla Shqipe në Zvicër vazhdon me hapjen e pikave të reja shkollore, këtë të shtune me datën 13 nëntor 2021 buzëqeshja e fëmijëve shqiptarë shkëlqeu në klasën e shkollës shqipe, në komunën Aigle, të Kantonit Wadt, të Zvicrës. Këta nxënës dhe qindra të tjerë të cilët i ndjekin mësimet në të katër anët e Zvicrës këto festa (Ditën e Alfabetit dhe Ditën e Flamurit)   i bëjnë dhe më kuptimplota.

Këta nxënës kanë arsye të buzëqeshin sepse kanë filluar me mësimet në gjuhën shqipe, 13 nëntor 2021 në komunën Aigle filloi mësimi në gjuhën shqipe.

Shkolla shqipe në Zvicër, ashtu siç kishin paralajmëruar mësuesit dhe veprimtarët e saj filluan dhe vazhduan edhe sivjet me hapjen e pikave të reja shkollore. Kjo shkollë u bë e mundur falë angazhimit të prindërve shqiptarë në këtë komunë së bashku me kryetarin e Këshillit z. Murtez Elezaj dhe prindërit tjerë, të cilët dëshirojnë t`ua ruajnë fëmijëve të tyre gjuhën amtare.

Dhe kjo e shtune solli buzëqeshje në fytyrën e nxënësve të shkollës shqipe, në Aigle. Nxënësit gjatë orës mësimore me mësuesen Ardita Abazi.

Në prag të festave të  Nëntorit (Ditës së Alfabetit dhe Ditës së Flamurit)  Shkolla Shqipe në Zvicër së bashku me prindërit shqiptarë edhe njëherë dëshmoi se prindërit shqiptarë janë të interesuar t`i dërgojnë fëmijët e tyre në gjuhën amtare. Kësaj radhe ishte hapja e shkollës shqipe në Aigle, të Kantonit Wadt.

Buzëqeshja e këtyre fëmijëve ishte dhe është lajmi më i mirë për punën dhe angazhimin e stafit udhëheqës të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, që të hapin sa më shumë shkolla, me qellim që të përfshijnë sa më shumë fëmijë shqiptarë në bankat shkollore, për të mësuar gjuhën  amtare. Prandaj kanë të drejtë të gëzohen nxënësit: Engjellusha, Elisa, Agnesa, Anisa, Andi, Klaydi, Blendi, Lorisi, Eliza, Adrijoni, Dea, Ardona të cilët filluan mësimet në klasën e mësueses Ardita Abazit. Në ditët në vazhdim priten edhe nxënës të tjerë të regjistrohen në këtë pikë shkollore.

Nxënës të dashur “Shkolla Shqipe në Zvicër” ju dëshiron shumë suksese dhe krenohet me ju.