Një vatër e rëndësishme e “Shkollës Shqipe” në Rorschach

Shkrimin e përgatiti: Vaxhid Sejdiu

Në qytetin e Rorschach-ut të kantonit të St. Gallen tashmë është duke funksionuar me sukses shkolla shqipe, e cila nga java në javë po bëhet një vatër e rëndësishme arsimore për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare. Nxënësit e kësaj shkolle, me hapa të sigurt, kanë filluar të mësojnë dhe ta kultivojnë gjuhën e nënës, duke treguar përkushtim e dashuri të madhe për trashëgiminë e tyre kulturore.

Kontribut të veçantë në këtë drejtim kanë dhënë prindërit, të cilët me gëzim e krenari mbështesin fëmijët e tyre dhe këtë nismë të rëndësishme arsimore. Ata shohin tek shkolla shqipe një mundësi të pazëvendësueshme që fëmijët, edhe pse të lindur e rritur larg atdheut, ta mësojnë dhe ta flasin shqipen në mënyrë të rregullt.

Nxënësit që ndjekin me rregull mësimin, u bëjnë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tyre nga Rorschach-u dhe rrethina që t’u bashkohen orëve mësimore, sepse nuk ka gjë më të bukur se kur fëmijët e diasporës ta ruajnë dhe e mbajnë gjallë gjuhën amtare.

Në bankat e shkollës shqipe në Rorschach sot mësojnë:
Auloni, Eniani, Roza, Greta, Genti, Enea, Korabi, Leani, Inara, Niketa dhe Alea.

Orari i mësimit

  • Dita: E mërkurë
  • Ora: 13:30 – 15:30
  • Vendi: Rorschaerberg, Oberstufe Steig

Këtyre orëve mësimore u kushton përkujdesje të veçantë mësuesja Jehona Shala, e cila me përkushtim e profesionalizëm po punon që fëmijët të mësojnë gjuhën amtare në një atmosferë të dashur e motivuese. Ajo shprehet e lumtur që tani ka mundësinë të ushtrojë profesionin e saj edhe në mërgim, falë angazhimit të prindërve dhe mbështetjes së LAPSH-it, që bën të mundur hapjen e kësaj vatre arsimore.

Shkolla shqipe në Rorschach është një shembull i gjallë i përpjekjes së bashkësisë sonë për të ruajtur identitetin, kulturën dhe gjuhën shqipe ndër breza.