Vaxhid Sejdiu: Edukim e përkushtim atdhetar

Një nga gjërat më të bukura që lindin dhe rriten brenda orëve mësimore të gjuhës shqipe janë, padyshim, përpjekjet për edukimin kombëtar.
Në orët e gjuhës dhe letërsisë shqipe – apo siç i quajmë shpesh, të gjuhës dhe kulturës kombëtare – ne mësuesit mundohemi që këshillat, orientimi dhe mbikëqyrja jonë të jenë gjithmonë në shërbim të nxënësve shqiptarë.

Ata përveç dijes gjuhësore, marrin edhe “brumin” e identitetit kombëtar, sepse ai është mburoja jonë më e fortë.

Ne mundohemi t’u sjellim sa më afër fëmijëve: Kosovën, Shqipërinë, shqiptarinë, flamurin, historinë dhe gjeografinë shqiptare.
Dhe për fat të mirë, falë përkushtimit të vazhdueshëm në kuadër të shkollës shqipe dhe atij familjar, janë me qindra e mijëra familje shqiptare që e mbajnë atdheun në zemër.

E tillë është edhe Familja Shala – Gëzimi dhe Shpresa – të cilët katër fëmijët e tyre, Andin, Aurelën, Gresën dhe Gentonisin, jo vetëm që i kanë edukuar me dashuri e përgjegjësi, por edhe i kanë këshilluar e mbikëqyrur që ta mësojnë dhe ruajnë me përkushtim gjuhën shqipe.
Këto fotografi të Familjes Shala në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës flasin sa një mijë fjalë…
Respekt pa fund!










